Kosova

Maqedonci dhe Ulutas flasin për intesifikimin e patrullimit kufitar


Ejup Maqedonci dhe Ozkan Ulutas

Ministri i Mbrojtes, Ejup Maqedonci, takoi të mërkurën komandantin e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, ku në fokus të diskutimeve ka qenë gjendja e sigurisë në vend dhe intesifikimi i patrullimit kufitar, posaçërisht pas sulmit të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Maqedonci, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, njoftoi se temë tjetër e takimit ishte edhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit midis Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe KFOR-it në çështje të mbrojtjes, derisa vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mbyllja e rrugëve ilegale në veriut të vendit dhe luftimi i grupeve kriminale nga Policia e Kosovës.

“Temë qëndrore e takimit ishte situata e sigurisë në vend, intesifikimi i patrullimit kufitar nga KFOR-i, duke marrë për shkas sulmin e 24 shtatorit dhe po ashtu rritja e bashkëpunimit me FSK-në në çështje të mbrojtjes. Ruajtja e kufirit do të thotë ngritje e nivelit të sigurisë, mbyllje e rrugëve ilegale dhe luftim i grupeve kriminale nga Policia e Kosovës”.

E komandanti i KFOR-it, në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu” të hënën e 21 janarit, deklaroi se misioni paqeruajtës është gati për çdo sfidë operacionale dhe rrjedhimisht, do t’i përgjigjet çdo kërcënimi në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë këtë edhe në vitin 2024. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe dua t’ju siguroj se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi. Prioriteti ynë është të mbajmë komunikim të paanshëm, solid, bazuar në besimin e të gjithë aktorëve lokalë në fushën e përgjegjësisë së KFOR-it”, deklaroi Ulutas.

Ulutas theksoi se KFOR-i do të vazhdojë t’i japë mbështetje përpjekjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet posaçërisht nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të konfliktit.

Duke nënvizuar ndër të tjera se misioni paqeruajtës i KFOR-it do të vazhdojë misionin në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, komandati turk theksoi se ndryshimi i numrit të personelit të misionit të KFOR-it është bazuar në kushtet në terren dhe vendimin e Këshillit të NATO-s, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja është akoma e brishtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore