Kosova

Maqedonci dhe Rosati diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe kolonel Massimo Rosati.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në takim me Komandantin e Njësisë së Specializuar të Karabinerëve të cilët operojnë në kuadër të KFOR-it, kolonel Massimo Rosati, ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se cështje diskutimi ishte edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit.

“Diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend si dhe format se si mund të zgjerojmë bashkëpunimin”.

“Komandantin e falënderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it”, ka shkruar Maqedonci.

Në këtë takim, Maqedonci dhe Rosati arritën pajtueshmëri që ta vazhdojnë bashkëpunimin.

“Në veçanti falënderova komandantin për kontributin e Njësisë së Karabinierëve dhënë në këtë drejtim. Ndërsa të dy u dakorduam që të vazhdojmë angazhimin e përbashkët me qëllim ruajtjen e stabilitetit në vend”.

Maqedonci për situatën e sigurisë kishte diskutuar edhe me komandantin e KFOR-it, të premten.

Ndërsa, të hënën ai deklaroi se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik, por edhe më gjerë.

Ai ka shtuar se militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore