Bota

Manjatët e SHBA-ve, pothuajse asnjë taksë mbi të ardhurat


Detajet që pretendojnë të zbulojnë se sa pak taksë mbi të ardhurat paguajnë miliarderët amerikanë janë zbuluar në një faqe të lajmeve nё internet.

ProPublica thotë se ka kontatuar kthime tё taksave tek disa prej njerëzve më të pasur në botë. Përfshirë Jeff Bezos, Elon Musk dhe Warren Buffett.

Faqja nё internet pretendon se Bezos i Amazon-it nuk ka paguar asnjë taksë në vitin 2007 dhe 2011. Po ashtu, Musk i Tesla-s nuk ka paguar asgjë në vitin 2018.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i quajti aktet tё paligjshme dhe kёrkoi qё FBI dhe autoritetet tatimore tё fillojnё hetimet.

ProPublica tha se ishte duke analizuar “grupin e madh të të dhënave të Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave” mbi taksat e miliarderëve dhe do të lëshojë detaje të mëtejshme gjatë javëve të ardhshme.

ProPublica tha se 25 amerikanët më të pasur paguajnë taksa shumё tё ulёta – një mesatare prej 15.8% të të ardhurave të rregulluara bruto- mё pak se shumica e punëtorëve të zakonshëm amerikanë.

“Ata kanë aftësi të jashtëzakonshme për të kёrkuar zbritje, për të marrё kredi dhe për të shfrytëzuar boshllëqet në sistem”, tha Jesse Eisinger, reporter dhe redaktor i lartë në ProPublica.

Ndërsa vlera e pasurisë së tyre rritet jashtëzakonisht përmes pronësisë së tyre mbi aksionet në kompanitë e tyre, kjo nuk regjistrohet si e ardhur.

“Ata gjithashtu marrin zbritje agresive të taksave, shpesh sepse marrin hua për të financuar stilin e tyre të jetës”, tha ai.

Redaktori u shpreh se miliarderët amerikanë blejnë, trashёgojnё ose ndërtojnë një pasuri dhe pastaj marrin hua kundër pasurisë së tyre.

Për shkak se ata nuk realizojnë ndonjë fitim, ata nuk po marrin asnjë të ardhur, e cila mund të tatohet.

Ata më pas marrin hua nga një bankë me një normë interesi relativisht të ulët, jetojnë pёrmes kësaj dhe mund të përdorin shpenzimet e interesit si zbritje mbi të ardhurat e tyre”, shpjegoi ai.

Planet e Biden

Presidenti, Joe Biden, është zotuar të rrisë taksën për amerikanët më të pasur si pjesë e një misioni për të përmirësuar barazinë dhe për të mbledhur para për programin e tij masiv të investimeve në infrastrukturë.

Ai dëshiron të rrisë nivelin më të lartë të taksave, të dyfishojë taksën dhe të ndryshojë taksën e trashëgimisë.

Sidoqoftë, analiza e ProPublica arriti në përfundimin se “Ndërsa disa amerikanë të pasur, të tillë si menaxherët e fondeve mbrojtëse, do të paguanin më shumë taksa nën propozimet aktuale të administratës së Biden, shumica dërrmuese e 25 të parëve do të shihnin pak ndryshime”

Një nga miliarderët e përmendur, filantropi George Soros, gjithashtu pretendohet se ka paguar taksë minimale.

Zyra e tij nuk i ishte përgjigjur një kërkese të BBC për koment, por në një deklaratë për ProPublica, u tha se Soros nuk i detyrohej taksës disa vjet për shkak të humbjeve në investime.

Nё deklaratё thuhej gjithashtu se ai kishte mbështetur prej kohësh reformёn e taksave më të larta për njerëzit më të pasur të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore