Shqipëria

Manja ‘shmang’ akuzat për çështjen Beleri, amnistia mund të përfshijë 600 të dënuar


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i ka shmangur akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka bërë atë “përgjegjës për bllokimin e betimit të Fredi Belerit”, kryebashkiak i zgjedhur i Bashkisë Himarë, arrestuar për shit-blerje votash.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Manja ka theksuar se i gjithë procesi i takon vetëm organeve të drejtësisë dhe jo atij personalisht.

“Sinqerisht, ka kohë që nuk e marr seriozisht Berishës, sepse ka humbur sensin e kohës dhe realitetin”, ka përkufizuar ai gjatë fjalës së mbajtur. “Çështja i takon drejtësisë, edhe për betimin do t’u lutesha të njiheshin me vendimin fundit të Gjykatës së Lartë. E keni dhe arsyetimin e saktë që ka të bëjë me qëndrimin ligjor. Pjesa tjetër se çfarë deklaron Berisha, ka kohë që është jashtë realitetit”.

Teksa, rreth marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Manja ka garantuar se ajo i ka kaluar të gjithë filtrat kushtetues dhe se dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, është e drejtë e gjithkujt.

Njëkohësisht, Manja ka folur edhe për amnistinë fiskale, ku pohoi se rreth 600 të dënuar do të përfitojnë.

Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvend përfitojnë rreth 600 persona të dënuar që t’i kalojnë festat pranë familjarëve. Projektligji për dhënie amnisti është në Kuvendin e Shqipërisë”, përshkroi ai.

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar këtë të enjte të 30 nëntorit në Kryeministri versionin përfundimtar të Amnistisë, ku janë reflektuar dhe rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Në versionin përfundimtar preken vendimet deri në datën 30 nëntor duke e rritur numrin e përfituesve në rreth 620 të dënuar.

“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar”, theksoi Manja.

“Do t’i kërkojmë parlamentit miratimin e një amnistie penale për vitin 2023, por ende nuk kemi një datë të saktë”.

Kështu pati deklaruar Manja, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ish-ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, në fillim të vitit 2023.

Në këtë mënyrë, zyrtari shqiptar pranonte se amnistia penale do të ishte njëra prej objektivave të autoriteteve për këtë vit.

Njësoj si në vitin 2021 edhe tre vite më parë, gjatë periudhës pandemike, të burgosurit sërish nuk patën mundësinë e përfitimit të amnistisë.

Gjatë muajit mars, kohë që përkonte me gjendjen e pandemisë së COVID-19, gjykatave iu sugjerua që të lehtësonin qasjen ndaj shtetasve me kundravajtje të lehta.

Ky udhëzim, asokohe u pa si një masë parandaluese për përhapjen e infeksionit nëpër burgje.

Pavarësisht këtyre lehtësive, ministria vendosi të mos aplikonte amnistinë e përvitshme që zbatohet në sistemin penitenciar.

Gjatë muajve të pandemisë, për herë të parë qeveria shqiptare ndërmori një iniciativë për të dhënë leje të veçanta të të dënuarve me qëndrim të përkohshëm në shtëpi për një afat 3-mujor.

“Përgatitja e aktit ishte një sfidë më vete sepse ishte hera e parë që ndërtuam një praktikë të re të pandodhur më parë”, do të shprehej ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Nga akti normativ përfituan leje të posaçme 450 të dënuar.

Sipas ish-ministres, kjo praktikë rezultoi e suksesshme pasi të gjithë të dënuarit u kthyen pas përfundimit të lejes 6-mujore në institucionet përkatëse.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj
Viti 2019

Në përfundim të vitit 2019, ministria do të përgatiste draftin për amnistinë e radhës të të burgosurve.

Sipas projektligjit të asaj kohe, do të amnistoheshin personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet, gjobë, ose shërbim prove pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Po kështu, do të amnistoheshin personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet.

Për personat e dënuar femra, që ishin baras ose mbi moshën 50 vjeç dhe personat e dënuar meshkuj që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, gjithashtu do të kishte amnisti.

Ndërkohë, nuk përfitonin amnisti personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale, të dënuarit për krime seksuale, krime në familje, terrorizëm, banda të organizuara kriminale, krime kundër shtetit.

Viti 2018

Qeveria shqiptare rikthente në vitin 2018 amnistinë e të burgosurve që pas amnistisë së vitit 2016 – e cila firmosej nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Pas pezullimit me një vit, Ministria e Drejtësisë do të bënte gati draftin, nga i cili përfituan rreth 900 persona.

Sërish, Ministria e Drejtësisë parashikonte amnisti për të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur.

Qeveria, përmes draftit, vendosi t’i kushtonte një rëndësi të madhe femrave.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani

Në burgje kishte shumë femra të dënuara dhe ato patën më shumë prioritet nga amnistia e vitit 2018.

Gjatë vitit 2016, përfituan liri rreth 700 persona në të gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore