Shqipëria

Manja: Këtë vit nuk ka amnisti për të burgosurit


Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja ka deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se në vitin 2021 nuk do të ketë amnisti për të burgosurit.

Ndër të tjera, ministri tha se do të mbyllet burgu i Zaharaisë në Krujë. Ky i fundit ka shërbyer si burg për personat e dënuar me probleme mendore.

Të gjithë të dënuarit do të transferohen në burgun e rikonstruktuar të Shënkollit – përkatësisht blloku 4 dhe blloku 5.

Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja
Historiku i viteve të fundit

Një vit më parë, gjatë periudhës pandemike, të burgosurit sërish nuk patën mundësinë e përfitimit të amnistisë.

Gjatë muajit mars, kohë që përkon me gjendjen e pandemisë së COVID-19, gjykatave iu sugjerua që të lehtësonin qasjen ndaj shtetasve me kundravajtje të lehta.

Ky udhëzim, asokohe u pa si një masë parandaluese për përhapjen e infeksionit nëpër burgje.

Pavarësisht këtyre lehtësive, ministria vendosi të mos aplikonte amnistinë e përvitshme që zbatohet në sistemin penitenciar.

Gjatë muajve të pandemisë, për herë të parë qeveria shqiptare ndërmori një iniciativë për të dhënë leje të veçanta të të dënuarve me qëndrim të përkohshëm në shtëpi për një afat 3-mujor.

“Përgatitja e aktit ishte një sfidë më vete sepse ishte hera e parë që ndërtuam një praktikë të re të pandodhur më parë”, do të shprehej ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Nga akti normativ përfituan leje të posaçme 450 të dënuar.

Sipas ish-ministres, kjo praktikë rezultoi e suksesshme pasi të gjithë të dënuarit u kthyen pas përfundimit të lejes 6-mujore në institucionet përkatëse.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj
Viti 2019

Në përfundim të vitit 2019, ministria do të përgatiste draftin për amnistinë e radhës të të burgosurve.

Sipas projektligjit të asaj kohe, do të amnistoheshin personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet, gjobë, ose shërbim prove pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Po kështu, do të amnistoheshin personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet.

Për personat e dënuar femra, që ishin baras ose mbi moshën 50 vjeç dhe personat e dënuar meshkuj që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, gjithashtu do të kishte amnisti.

Ndërkohë, nuk përfitonin amnisti personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale, të dënuarit për krime seksuale, krime në familje, terrorizëm, banda të organizuara kriminale, krime kundër shtetit.

Viti 2018

Qeveria shqiptare rikthente në vitin 2018 amnistinë e të burgosurve që pas amnistisë së vitit 2016 – e cila firmosej nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Pas pezullimit me një vit, Ministria e Drejtësisë do të bënte gati draftin, nga i cili përfituan rreth 900 persona.

Sërish, Ministria e Drejtësisë parashikonte amnisti për të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur.

Qeveria, përmes draftit, vendosi t’i kushtonte një rëndësi të madhe femrave.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani

Në burgje kishte shumë femra të dënuara dhe ato patën më shumë prioritet nga amnistia e vitit 2018.

Gjatë vitit 2016, përfituan liri rreth 700 persona në të gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore