Shqipëria

Manja: Asnjë i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga Amnisitia, jemi gati të ulemi me opozitën


Ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, ka deklaruar se nga Amnistia Penale përfitojnë 3 ish-punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyre në Kukës, dhe asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Ai theksoi se askush nga mazhoranca nuk ka pasur si qëllim të amnistoj asnjë person të dënuar nga GJKKO.

“Ulja e dënimit për shkak të amnistisë nuk ta heq njollën”.

Ministri tha Qeveria është gati që të ulet me opozitën dhe ta rishikojë këtë amendament.

“Ne kemi bërë detyrën tonë, kemi depozituar ligjin ka tre muaj. Tani është në seancë plenare, kur të bëhen gati. Do të kërkoja dhe dëshiroja që ky ligj të marrë votat e gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Vetëm një ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka u shpreh se një pjesë e propozimeve të PD për amnistinë penale nuk janë përfshirë në projektligjin final dhe se pala e tij është e gatshme të votojë amnistinë e versionit fillestar që ka sjellë qeveria.

Ai zbuloi se ka pasur një komunikim me ministrin e Drejtësisëm Ulsi Manja, i cili i ka konfirmuar se institucionet e reja të drejtësisë kishin dhënë “dritën jeshile” për projektligjin.

“Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projektligjin fillestar me Institucionet e reja të drejtësisë, kam marrë një përgjigje pozitive. Pra projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie”.

Ai theksoi se “nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë”.

“Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hatim nga SPAK”.

Sipas Alibeajt, “një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, votat e PD nuk do t’i ketë”.

“Nëse ministri me arrogancën e tij thotë se do të sigurojë vota, që do të thotë do të peshkojë vota, kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë, t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore