Mandiç: “Qeveria e re e Malit të Zi do ta ketë prioritet anëtarësimin në Ballkanin e Hapur”

SHFLETO

Fronti Demokratik në Mal të Zi, Andrija Mandiç.

 

Xhezair Dashi
03.01.2022 17:28
Loading Icons...

“Qeveria e re në Mal të Zi, e cila do të zgjidhet në vitin 2022, do të ketë prioritet në planin e politikës së jashtme bashkimin me nismën ‘Ballkani i Hapur’”, ka deklaruar në Tv Pink njëri nga drejtuesit e Frontit Demokratik në Mal të Zi, Andrija Mandiç.

“Tri shtetet Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë treguar forcë të madhe dhe, me gjithë dallimet, kanë gjetur një gjuhë të përbashkët dhe Mali i Zi, që ishte e natyrshme të ishte në atë cikël të bashkimit me nismën, mbeti disi jashtë saj. Shqipëria është konkurrenti ynë i drejtpërdrejtë. Ne duhet të forcojmë ekonominë dhe ky do të jetë një hap i madh përpara për ne, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht”, tha ai.

Ai tha edhe se Qeveria e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiç po ndjek një politikë të papërgjegjshme dhe po dëgjon adresat e huaja, transmeton “Antenam”

“Ballkani i Hapur është e ardhmja jonë. Ne duhet të thyejmë barrierat. Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë. Këto janë rrugët që duhet të ndjekim,” tha Mandiç.

“Unë sinqerisht shpresoj për ndryshime në vitin 2022. Do të zgjidhet një qeveri e re dhe do të përmirësojmë marrëdhëniet me Serbinë. Qeveria e Zdravko Krivokapiçit vetëm sa i ka përkeqësuar”, vazhdon Mandiç.

Ai beson se struktura e re qeverisëse e Malit të Zi erdhi në pushtet falë popullit serb dhe me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Mandiç ka prekur temën e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, duke thënë se ai “është shtyrë qëllimisht për të mos deklaruar faktin se numri më i madh i banorëve në Mal të Zi i përket popullit serb dhe kishës ortodokse serbe”.