Shqipëria

Mandati i Xhaçkës, Kuvendi i drejtohet Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion


Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion.

Kërkesa mësohet se është bërë në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

Kjo kërkesë vjen sakaq një ditë pas seancës parlamentare, ku Kuvendi në shumicë abstenoi për të përcjellë në Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Për të tretën herë radhazi, përmes procedurave parlamentare, ajo i shpëton një gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me atë që pretendohet nga opozita se është në konflikt të pastër interesi, pasi bashkëshorti i saj fitoi statusin e investitorit strategjik.

Ne letrën drejtuar Komisionit të Venecias bëhet një rezyme të asaj që çfarë ka ndodhur, çfarë parashikon Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe mënyra si funksionon Gjykata Kushtetuese.

Komisioni i Venecias pyetet në letër nëse bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese,  mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Po ashtu pyetet nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti. Gjithashtu se cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Komisioni i Venecias pyetet edhe se cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.

“Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?”, thuhet në letër.

“Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kuvendit të Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, Komisioni pyetet nëse mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi. Dh nëse mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta.

“Duke qenë se çështjet për të cilat kërkojmë opinionin e Komisionit të Venecias kanë rëndësi për ekuilibrat në demokraci dhe zgjidhjen e tensionit të krijuar nga situata të pasigurisë juridike në vendin tonë, për të cilat Kuvendi do të duhet të marrë masat e përshtatshme sa më parë që të jetë e mundur, ne do ta vlerësonim së tepërmi opinionin Tuaj në një kohë sa më të shkurtër”, mbyllet letra.

Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur.

Ky është reagimi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, pas vendimit të mazhorancës socialiste për të mos e dërguar mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

BE thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.

“Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese”.

Më tej delegacioni i BE-së shkruan se i ka shprehur shqetësimet edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri.

Kjo lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe çështjen Xhaçka.

Votimi për mandatin

Kuvendi i Shqipërisë përmes një votimi gjatë një seance maratonë, shpëtoi mandatin e Xhaçkës me 65 abstenime dhe 9 kundër dhe 25 pro.

Shumica socialiste në fakt, ndryshe nga hera e kaluar, këtë votim vendosi abstenimin në masë.

Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca, ku shtjellohej se Kuvendi duhet të votonte për një herë të dytë rreth mandatit të Xhaçkës.

Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij pë mosleximin e raporteve në seancën maratonë. Akt ky, të cilin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e argumentoi përmes rregullores së Kuvendit, duke thënë se prej përfundimit të njëjtë, në të cilin raportet kanë dalë, nuk lind nevoja të lexohen ato në seancë.

Vetë Xhaçka nuk pati reagimi gjatë seancës apo votimit dhe duket se ka preferuar heshtjen këtë herë, lidhur me çështjen. Ajo as nuk votoi lidhur me mandatin e saj.

Teksa, Spiropali, në mbyllje të seancës, bëri me dije se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias pë opinion lidhur me çështjen, duke parë edhe abstenimin e shumicës socialiste në Parlament.

Kushtetuesja më 10 korrik u shpreh se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për zbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 dhe nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka”.

Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Xhaçka – duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne dënojmë me forcë standardin një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.

“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, shkruhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore