Shqipëria

Mandati i Olta Xhaçkës, nis shqyrtimi i padisë së PD-së në Kushtetuese


Kërkesa e Partisë Demokratike për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka, po shqyrtohet në Gjykatë Kushtetuese këtë të premte të 21 qershorit.

I pranishëm në seancë ishte edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në fjalën e tij ai theksoi se Kuvendi sfidoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Për kohën që kanë mbetur në këtë legjislaturë dhe duke marrë parasysh kohën kur zbardhet vendimi, kohën kur do hyjë në fuqi vendimi i GJK, kohën kur do ta zvarrisë më tej Kuvendi, legjislatura e këtij Kuvendit dhe mandati i zonjës Xhaçka përfundon vetë”, tha ai.

Bardhi shtoi se grupi i tij ishte përpara dy sfidave, “do duhet të vinte sërish në GJK ose t’ia linte turpin mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Vlerësuam se po duhet të vijmë në GJK sepse sfida ndaj autoritetet te GJK nuk është vetëm çështje e anëtarëve të GJK, por është çështje e çdo ligjvënësi që është betuar në Kushtetutë. Në këtë kuptim çdo parashtrim i joni për t’ju shpjeguar ju një vendim që e keni marrë vetë ju, do të ishte humbje kohe”.

Ndërkaq, javë më parë socialistët vendosën të shpëtojnë Xhaçkën, duke mos e dërguar mandatin e saj në Kushtetuese për shqyrtim në themel – deputetët socialistë “përdorën” 72 votat e tyre kundër.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Vetë Xhaçka, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke mbrojtur kauzën e saj.

Xhaçka ka theksuar se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë, duke thënë se akuzat janë shpifje.

Ish-ministrja tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitorit strategjik njëjtë si shumë investitorë të tjerë, ndërsa tha se nuk ka pasur asnjë shkelje.

Ajo shtoi se Kuvendi s’ka çfarë të votojë, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se nuk është në konflikt interesi.

“Për t’i vënë kapakun, nga leckat e topit të opozitës diskutohet sikur do të votohet sot për të më mbajtur në këmbë apo jo. Çështjen time GJK e ka pushuar. Meqë në këtë absurditet, u arrit për shkak të akuzave të ngritur ndaj meje, dhe votimi sot lidhet me mandatin tim, nuk do komentoj dhe kolegët le të diskutojnë e të e vendosin të lirë”.

Ndër të tjera, ka pasur dhe akuza të drejtëpërdrejta për Gazment Bardhin.

Vendimi

Gjykata Kushtetuese urdhëroi rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës që pikërisht kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj pati theksuar se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres Xhaçka, është një situatë e pazakontë.

“Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Gazment Bardhi, ka pretenduar se deputetja Olta Xhaçka po mbrohet në kundërshti me Kushtetutën, edhe pse ajo ka grabitur 10 mijë metra katrorë tokë, për të ndërtuar një resort.

Kjo është një përgjigje që Bardhi i jep kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi kjo e fundit ka reaguar përmes një shkrese, duke thënë se nuk është detyra e saj, por e organeve të tjera kuvendare, që të marrë hapa për mandatin e Xhaçkës.

Sipas Bardhit megjithatë, ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, “sot nuk është as në burg, as i hiqet mandati i deputetit, sepse kështu vendos Edi Rama, sepse ajo është bashkëpunëtore e Edi Ramës”.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore