Përballje

Manchester City e deklason Real Madrid-in dhe kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve


Manchester City është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur Real Madrid-in me rezultat 4:0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, derisa ajo e para në Madrid kishte përfunduar me shifrat 1:1.

“Qytetarët” e nisën vrullshëm këtë takim, duke dominuar në çdo cep të fushës në “Etihad Stadium”.

Goli i parë erdhi në minutën e 23-të, kur pas një kombinimi shumë të mirë, Bernardo Silva shënoi pas asistimit të Kevin De Bruyne-s.

15 minuta më vonë, Silva e shënoi edhe golin e dytë, i cili e shfrytëzoi një top të kthyer, duke e çuar topin në rrjetë.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të vendasve, derisa në fillim të pjesës së dytë, Real-i u “ngjall” duke luajtur më mirë.

Megjithatë, ata e patën të pamundur ta kalonin mbrojtjen e City-t dhe e pranuan edhe dy gola tjerë.

Ishte minuta e 76-të, kur De Buryne bëri një harkim të bukur në zonë dhe mbrojtësi i Real-it, Eder Militao, shënoi në portën e tij për rezultatin 3:0.

Deri në fund, pati edhe disa mundësi të mira nga dyja skuadrat, derisa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Julian Alvares krejt në fund të ndeshjes, duke shënuar pas pak minutash pasi hyri në lojë.

Kështu Manchester City kualifikohet për herë të dytë në historinë e tyre në finalen e Ligës së Kampionëve dhe do ta kërkojnë trofeun e parë, ku do të përballen me Inter-in në finalen e madhe të Stambollit më 10 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore