Manastirliu pasqyron rritjen e pagave për mësuesit: Mesatarja shkon në 950 euro, përfitojnë edhe psikologët e shkollave

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 13:54
Loading Icons...

Qeveria ka miratuar një paketë të re të rritjes së pagave për punonjësit e shërbimeve publike në vend, ku pjesë bëjnë edhe mësuesit e ciklit parauniversitar, të cilët sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, do të gëzojnë tashmë paga mesatare prej 950 eurosh.

Kështu bëri me dije vetë ministrja, pas një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, ku edhe u miratua vendimi.

Në komunikimin me median, ajo e ka konsideruar këtë vendim historik për motivimin dhe mbështetjen e mësuesve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies.

“Dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me mësuesit në sistemin tonë arsimor, një lajm vërtetë të mirë përsa i përket rritjes historike të pagave për mësuesit, e cila fillon nga 1 korriku dhe do të përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor, duke qenë kjo rritja më e madhe e pagave në këto dekada. Paga mesatare e mësuesve rritet me 18 mijë lek të reja/muaj apo me tre paga në vit, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve 950 euro”, tha Manastirliu.

Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë me 15 vite eksperiencë shkon në 98 mijë e 500 lekë.  Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët me 15 vite eksperiencë shkon 96 mijë e 600 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të ulët 9-vjeçar me 15 vite eksperiencë shkon 95 mijë lekë.

Nga kjo politikë e re pagash përfitojnë gjithashtu edhe punonjësit e shërbimit psiko-social (psikologët dhe punonjësit socialë), oficerët e sigurisë në këto insitucione, të cilët luajnë rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien e dhe sigurinë e fëmijëve.

“Paga e një punonjësi të shërbimit psikosocial në shkolla me 15 vite eksperiencë shkon 91 mijë lekë dhe paga e një oficeri sigurie shkon 80 mijë lekë në muaj”, shtjelloi Manstirliu.

Kjo politikë pagash është gjithëpërfshirëse dhe përfitojnë gjithashtu edhe edukatorë në kopshte dhe çerdhe si dhe mësues të arsimit profesional.

Risitë në këtë skemë pagash janë: Rritja e  masës së shpërblimit për mësuesit sipas kategorisë së kualifikimit, duke dyfishuar pagesën për kualifikimin për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit specialistë dhe duke rritur me 50% për mësuesit mjeshtër. Pagesa për vjetërsinë në punë përllogaritet mbi pagën e pozicionit për 30 vite punë në ndryshim nga aktuale ku përllogaritet mbi pagën e grupit deri në 25 vite punë. Përafrimi i pagave të mësuesve të arsimit 9-vjeçar me ata të mesëm. Shtimi i roleve të reja në shkollë si mësuesi/koordinator i cilësisë dhe orinetimit të karrierës i cili do të ndihmojë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe në kualifikimin e mësuesve.