Shqipëria

Manastirliu-Majko: Thirrje mjekëve të diasporës për të kontribuar në ngritjen e modelit të ri të menaxhimit të spitaleve


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, vlerësuan kontributin e profesionistëve, në Samitin që u zhvillua virtualisht, ditën e sotme, më 24 shkurt me mjekët e diasporës. Ata i ftuan që të kontribuojnë në vendin tonë.

Manastirliu falënderoi mjekët brenda dhe jashtë vendit për rolin që kanë patur gjatë këtij viti sfidues.

 “Dua të falënderoj mjekët e diasporës për kontributin e dhënë jo vetëm për informacionet për publikun përmes medias, por edhe për atë që është më pak e njohur, por që është një kontribut i qenësishëm, për bashkëpunimin për të përmirësuar protokollet mjekësore, për mënyrën e menaxhimit të situatës së pandemisë dhe për të ndarë me kolegët e tyre në Shqipëri praktikat më të mira, në kohë reale në këtë situatë, me qëllim forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe me synim final përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe pacientët e prekur nga COVID19”, deklaroi ministrja.

Ndërsa bënte me dije politikat e qeverisë shqiptare, Manastirliu pohoi  se profesionistët e shëndetit kanë qenë gjithmonë në fokus të politikave për përmirësimin e kushteve të punës dhe incentivave financiare.

“Rritja historike e pagave, e konkretizuar këtë vit me 40% dhe në tërësi në këto 8 vite me 57% rritje pagash në të gjithë vendin, në të gjitha nivelet, nga ai parësor në atë terciar është një premtim I mbajtur për profesionistët e shëndetit. Gjithashtu, për të gjithë mjekët që punojnë në Shqipëri dhe ofrojnë shërbim jashtë vendbanimit, Qeveria ka alokuar një bonus të veçantë 2.5 milion lekë plus pagës. Duhet theksuar se përgjatë pandemisë, për të gjithë personelin mjekësor, mjekë, infermierë, staf mbështetës në spitalet COVID19 apo aty ku u shërbehet pacientëve meCOVID19, qeveria ka vendosur bonusin special 1 mijë euro për mjekët dhe infermierët dhe 500 euro për personelin mbështetës, për të përkrahur mjekët, infermierët në frontin e parë të luftës kundër COVID19”, shtoi ministrja.

Ndërsa fliste për planin e vaksinimit Ministrja e Shëndetësisë tha se Shqipëria  ka kapacitetet e duhura dhe se vendi ynë ka një plan ambicioz vaksinimi kundër-COVID19.

“Qeveria ka parapaguar rreth 1.6 milion doza vaksine, duke garantuar kështu vaksinimin e 800 mijë qytetarëve, me dy kontrata, me Pfizer dhe COVAX, ndërsa nuk i kemi ndalur kontaktet, qoftë me vende të Bashkimit Europian, qoftë me vende të tjera, për të siguruar ardhjen sa më parë të vaksinave, për të ecur me ritme të larta të vaksinimit”.

Manastriliu saktësoi se vendi ynë është i dyti në rajon që ka nisur vaksinimin pas Serbisë. Ajo theksoi se vendi ynë synon të  vaksinojë të gjithë popullsinë duke ndjekur planin 14 mujor.

Ndërsa fliste për mënyrën e re të menaxhimit spitalor ministrja i bëri thirrje mjekëve të diasporës që të kontribuojnë në krijimin e modelit të ri të autonomisë spitalor. Kjo autonomi pritet të fillojë fillimisht në Spitalin Memorial Rajonal të Fierit.

“ Modeli që do të zbatojmë në spitalin e ri në Fier do të jetë një gur kilometrik për ndryshimin e menaxhimit të spitaleve tona. Ndaj dua t’iu bëj thirrje të gjithëve ju, mjekë të diasporës, që të jepni kontributin tuaj personal në krijimin e këtij modeli të ri. Brenda dy javësh do të hapim thirrjen për rekrutimin e personelit mjekësor për këtë spital, i cili do të menaxhohet nga kolegë turk për një periudhë, deri sa të ngrihet modeli”, tha Manastirliu në thirrjen e saj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore