Shqipëria

Manastirliu distancohet nga arrestimi i zyrtares së lartë të Shëndetësisë


Ministrja për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu është distancuar nga arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë, Joana Duro.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi. Këtë qëndrim do të kemi gjithnjë për çdo rast të shkeljes së ligjit, të detyrës etj. Dhe ky person që i shkel këto, do përballet me drejtësinë”, u shpreh zyrtarja gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas saj, ky rast është i rëndë dhe duhet hetuar.

“Nëse del, ashtu sikurse dyshimet janë të përballet me ligjin. Çdo person që merr detyrën në subjektin publik merr dhe përgjegjësinë para ligjit. Kjo është arsyeja pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi. Para ligjit të gjithë janë të barabartë”, theksoi Manastirliu.

Ajo ravijëzoi në përmbyllje se fjala e fundit për këtë çështje i takon drejtësisë.

PD

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi më herët dorëheqjen dhe hetimin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kjo, pas arrestimit të dy zyrtareve të këtij institucioni: Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë, Joana Duro dhe Luara Shteto, e cila ishte specialiste në platformën “Bashkëqeverisja”.

“Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!”, nënvizon PD-ja në reagimin e saj.

Sipas selisë blu, “korrupsioni sistematik” në këtë ministri “nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike”.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tenderat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”, thekson në përmbyllje reagimi i kësaj force politike.

SPAK

Detaje të reja u zbardhën më herët nga Prokuroria e Posaçme SPAK, lidhur me arrestimin e kryer pasditen e 2 qershorit.

Sipas komunikatës zyrtare nga SPAK, nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare).

Kjo, me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), ku prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 – Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se Duro ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330 mijë lekësh, për të favorizuar një Operator Ekonomik.

Këto vlera monetare u dhanë nga zyrtarja tjetër, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance të dy shtetaset, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të shumës prej 330 mijë lekësh.

Reagimet

Një reflektim mbi çështjen e pati edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, sa i takon çështjes.

Sipas kreut të Qeverisë, e gjithë situata “e vë në siklet” atë vetë dhe gjithë mekanizmin shtetëror, por është një “kuti e Pandorës” që e kanë hapur vetë dhe është një diçka, për të cilën të gjithë duhet të ndihen mirë: funksionimi i sistemit të drejtësisë.

“Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore