
Manastiri i Deçanit, ka reaguar sërish për sulmin terrorist që ndodhi të dielën ndaj Policisë së Kosovës në Veri.
Në komunikatën e tyre është thënë se ka “shumë dezinformata” dhe “lajme të rreme”, që po shpërndahen lidhur me ngjarjen ku ka mbetur i vdekur një polic i cili ishte vrarë nga grupet terroriste të Serbisë.
Sipas manastirit të Deçanit, “armatimi nuk është gjetur brenda Manastirit të Banjskës”.
“Ka një rritje të dezinformatave dhe lajmeve të rreme që po përhapen për ngjarjet tragjike të djeshme në Kosovë. Përfaqësues ndërkombëtarë kanë konfirmuar se Policia e Kosovës pas një kontrolli dje pasdite ka zbuluar armë vetëm brenda veturave të braktisura të sulmuesve të armatosur afër manastirit”.
“Siç thuhet në deklaratën e djeshme të kishës, personat e armatosur me maska kishin thyer portat e mbyllura të manastirit dhe kishin shkëmbyer zjarr me policinë”, thuhet në reagimin e tyre.
There is a surge of misinformation and fake news spreading about the tragic events in #Kosovo yesterday. International representatives confirmed that the Kosovo Police after a search yesterday afternoon only discovered weapons inside the abandoned vehicles of the armed attackers… pic.twitter.com/WRTPnw5xzz
— Dečani Monastery (@DecaniMonastery) September 25, 2023
Manastiri, ka pohuar se brenda Manastirit të Banjskës dhe përreth tij nuk është gjetur asnjë armë.
Ata më tej bëjnë të ditur se pelegrinët që ishin brena Manastirit do të largohen sot për në shtëpitë e tyre.
“Në bastisjen brenda Manastirit dhe ambienteve të tij, nuk është gjetur asnjë armë sipas burimeve ndërkombëtare në Kosovë. Kisha nuk kishte absolutisht asgjë me këto ngjarje tragjike dhe murgjit me pelegrinët u kapën vetëm në mes të zjarrit. Falë Zotit, askush në Manastir nuk u lëndua. Pelegrinët pritet të largohen sot për në shtëpi”, thuhet mes tjerash në reagimin e Manastirit të Deçanit.
Manastiri ka përfunduar se sulmet dashakeqe dhe përhapja e informacionit të rremë nuk nxisin paqe, por vetëm sa përshkallëzojnë tensionet ndëretnike në Kosovë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.
Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.
Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com