Lajme

Manastiri i Deçanit: Apel për paqe dhe vetëpërmbajtje në Kosovë


Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, shpreh keqardhje “për të gjithë ata që kanë pësuar lëndime apo janë ekspozuar ndaj çfarëdo lloj keqtrajtimi”, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve të përfshira që të sigurojnë që çështjet e përshkallëzuara në veri të Kosovës të adresohen me mjete paqësore”.

Janjiç përmes një deklaratë për medie të cilën e ka publikuar në Twitter, ka thënë se qëndrojnë kundër burgosjes së padrejtë të çdo individi “për arsye të pabaza dhe të rreme, si dhe kundër keqtrajtimit të pretenduar të tyre në ambientet e paraburgimit”.

“Ne dëshirojmë të pohojmë se veprimet e fuqishme policore dhe retorika nxitëse nuk mund të jenë kanale për stabilitetin në Kosovë, as nuk mund të ndihmojnë në ndërtimin e besimit në mesin e popullatës. Vazhdimi i situatës aktuale, e karakterizuar nga dhuna, kërcënon stabilitetin dhe sigurinë më të gjerë të të gjithë qytetarëve”.

Sundimi i ligjit është thelbësor, “por ai kurrë nuk duhet të përdoret si pretekst për të shtypur njerëzit përmes veprimeve policore. Metoda të tilla, kudo në botë, në mënyrë të pashmangshme japin rezultate kundër produktive dhe çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin për medie të Manastirit tb Deçanit.

Populli i Serbisë në Kosovë, sipas Janjiç, “meriton të drejtat e tij të plota për të jetuar në paqe dhe për të gëzuar mbrojtjen e të drejtave të tyre kolektive dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e garantuara ndërkombëtarisht të dakorduara më parë”.

Ky tension, vlerëson Igumeni i Manastirit të Deçanit, pengon dialogun e vazhdueshëm dhe nuk mund të sigurojë një ekzistencë paqësore për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh origjinën e tyre etnike.

Çfarë po ndodhë në Veri të Kosovës?

Me 13 qershor Policia e Kosovës ka arrestuar serbin Milun Milenkoviç, i njohur me nofkën Llune, për sulmin ndaj policisë dhe ushtarëve të KFOR-it.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic – Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, kishte deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Gjatë këtij arrestimi u lënduan tre zyrtarë policorë.

Ky rast indinjoi serbët lokalë, të cilët u grumbulluan në rrugët e Mitrovicës së Veriut.

Gjersa Policia e Kosovës ka zbatuar urdhrin për arrestimin e të dyshuarit, në Veri të Kosovës është lëshuar alarmi, alarm i cili njihet gjerësisht si një mënyrë për të mobilizuar serbët lokalë.

Nga pamjet e publikuara në mediat lokale shihen se në mesin e protestuesve ka nga ata që janë me maska, që dyshohet të jenë anëtarë të grupeve kriminale.

Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim të tij për 30 ditë, kërkesë kjo e cila u aprovua nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Më 14 qershor, tre zyrtarë të policisë së Kosovës u anë rrëmbyen nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.

Më pas, të premte e 15 qershorit, ndaj tre policëve të arrestuar B.S. R.Z. dhe M.SH., u shqiptua masa e paraburgimit për 30 ditë, nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë.

Kjo prokurori kishte dhënë urdhër për kryerje të hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

“Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para gazetarëve, një ditë më parë.

“Ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë”, tha Kurti.

“Në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori ynë Jetish Jashari, shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë”, shtoi ai.

Të shtunën, Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate zyrtare i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte policët e Kosovës të kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet aty.

Nga DASH-i potencohet se “ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve, sipas tyre, të ndaluar, më 14 qershor nga policia Serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar bëri thirrje, të premten, gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”.

Mbretëria e Bashkuar ka ripërsëritur thirrjet që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht, kryeministri Albin Kurti, të plotësojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për de-përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare në komunën e Leposaviqit në Kosovë.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë. Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore