Man City ndjen mungesën e Rodri-t, barazon me Newcastle

Skuadra e Pep Guardiola-s ngec përballë Newcastle-t
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 15:30
Loading Icons...

Manchester City nuk ka shkuar më shumë se një barazim në shifrat 1-1 në transfertën e Newcastle United këtë të shtunë.

“St James’ Park” priti takimin e javës së gjashtë në Premier League mes vendasve të Newcastle dhe miqve të Manchester City-t. Kjo ishte ndeshja e parë e “Qytetarëve” pa yllin e mesfushës, Rodri, i cili do të humbase sezonin pas dëmtimit që pësoi fundjavën e kaluar përballë Arsenal-it.

Dhe, në mungesë të Rodri-t duket se City po vijon të ketë paqëndrueshmëri, të cilat u shfaqën edhe sezonin e kaluar teksa mesfushori spanjoll ishte i dëmtuar, por asokohe për një periudhë më të shkurtër kohore.

City kaloi i pari në avantazh në takimin e sotëm me anë të Josko Gvardiol-it. Mbrojtësi kroat shënoi në minutën e 35-të një gol të denjë për një sulmues klasi.

Megjithatë, përgjigjja e vendasve do të vinte në minutën e 58-të, kur Anthony Gordon ekzekutoi me saktësi një 11 metërsh.

Gordon tani ka fituar shtatë penallti në Premier League që nga fillimi i sezonit të kaluar, të paktën katër më shumë se çdo lojtar tjetër gjatë asaj kohe.

Me barazimin e arritur, City ruan përkohësisht kryesimin e Premier League-s me 14 pikë. Newcastle ngjitet në vendin e pestë me 11 pikë.

Megjithatë, të dyja skuadrat mund ta humbasin pozicionin e tyre nëse skaudrat poshtë tyre fitojnë takimet respektive, përkatësisht City mund ta humb përballë Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, ndërsa Newcastle nga Chelsea, Brighton, Forest dhe Fulham.

Takimi i kthimit mes dy skuadrave, në Premier League, do të zhvillohet më 15 shkurt. Ndërkohë, ndeshjet radhës për dy ekipet janë më 1 tetor: Newcastle pret Wimbledon për EFL Cup, ndërsa City viziton Slovan Bratislaven për Champions League.

Premier League do të vijojë këtë të shtunë me gjashtë takime të tjera:

Arsenal – Leicester

Brentford – West Ham

Chelsea – Brighton

Everton – Crystal Palace

Forest – Fulham

Wolves – Liverpool

Të dielën do të luhen takimet: Ipswich – Aston Villa dhe Manchester United – Tottenhem. Java e gjashtë në Premier League mbyllet të hënën me duelin Bournemouth – Southampton.