Sport

Man. City “dominon” United, shkëlqen Haaland me dopietë


Pasditja e 29 tetorit në Old Trafford ishte në nuancën e qiellit me ngjyrën blu të “Citizens”, të cilët dominuan “djajtë e kuq” përgjatë gjithë lojës duke e përmbyllur me rezultatin e pastër 0-3.

Fillimisht, sulmuesi norvegjez Erling Haaland zhbllokoi rezultatin nga penalltia në minutën e 26-të, pasi Rasmus Hojlund mbajti Rodri-n në zonën e rreptësisë.

Andre Onana më pas bëri një pritje të shkëlqyeshme për të shmangur goditjen me kokë të Haaland nga afërsia pak para pjesës së parë.

Haaland dyfishoi epërsinë pak pas pushimit me një goditje të fortë me kokë nga krosimi i Bernardo Silva-s.

Llogaritë e ndeshjes i mbylli anglezi Phil Foden me golin e tretë pasi shoqëroi në portë krosin e ulët të Haaland, i cili u tregua altruist në këtë situatë.

Me këtë rezultat, Manchester City mbetet i ngërthyer pas kreut me 24 pikë, vetëm 2 pikë larg Tottenham Hotspur.

Ndërsa United dhe Ten Hag e shohin veten në një pozitë të vështirë me pesë humbje në 10 ndeshjet e para të Premier League, duke u renditur në vendin e tetë me 15 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore