Kosova

Maliqi: Mos e kërkoni dorëheqjen e Kurtit, po shkon vetë drejt humnerës


Agon Maliqi

Agon Maliqi, analist politik dhe aktivist i shoqërisë civile, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas “përplasjes” së kryeministrit Albin Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsideroi se në këtë rast, më mirë është që të mos kritikohet kryeministri, por të lihet që vetë të “përfundojë në humnerë”.

“Mos i kritikoni hiç e as mos bëni thirrje për dorëheqje. Lejini me i grah kerrit drejt humnerës dhe me përfundu natyrshëm ereksioni sovranist dhe trushpërlarja kolektive populliste. Pa marrë parasysh koston”, shkroi Maliqi, reagimi i të cilit vjen pas kritikave të Kurtit drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Megjithatë, deri në zgjedhjet e radhës, qytetarët e Kosovës kanë nevojë të prodhojnë një opsion të ri politik, i cili, sipas Maliqit, do t’i mbledhte forcat progresive dhe ta kushtëzojë si “king-maker” – grup që ka ndikim të madh politik, pa qenë vetë kandidat – ofertën ekzistuese të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me i mbrojt aleancat dhe orientimet strategjike prej ereksioneve sovraniste të komandant tastaturave; Me e garantu sundimin e ligjit dhe parandalu kthimin e partive të vjetra në shprehitë korruptive”, theksoi Maliqi, ndërsa përdori edhe një fjali që i atribuohet ish-ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson.

Një listë qytetare me këtë agjendë, që në përbërje do të kishte ekskluzivisht vetëm gra, sipas projeksionit të Maliqit, do të shkonte deri në 10 përqind në zgjedhjet e përgjithshme, ngase siç tha, “burrat e kombit e kanë ‘lli punën”, ndërsa shtoi se “veç gratë munden me na shpëtu prej lloqit”.

Reagon Blinken: E dënojmë fuqishëm aksionin e Qeverisë së Kosovës, Kurti të ndalet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore