Kosova

Maliqi: Kurti vendosi të konfrontohet me ShBA-të


Analisti politik Agon Maliqi, pas përfundimit të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë në Bruksel, ka thënë se Qeveria e Kosovës vendosi të konfrontohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova në BE ka hasur gjithmonë në raport asimetrik për shkak të vendeve mosnjohëse dhe neutralitetit të BE ndaj statusit. Kjo asimetri është thelluar edhe më shumë me largimin e Britanisë nga BE. Por Kosova gjithmonë e ka thyer këtë asimetri përmes koordinimit me një superfuqi si SHBA. Këtë parim fatkeqësisht e theu qeveria e sotme e cila vendosi të konfrontohet dhe t’i mbajë ligjërata SHBA-ve”, shkroi ai në Facebook.

Për Maliqin, kryeministri Kurti për të fituar pikë “me metoda popullsite dhe për ta ushqyer dalldinë nacionaliste”, me aventurat e njëpasnjëshme në veri, hap pas hapi “e ka gërryer dhe e shkatërroi besimin dhe kredibilitetin e aleatëve”.

“E mbetur e vetmuar dhe pa mbështetje, tash po ankohet me rezultatin: mirëkuptimin perëndimor për Vuçiçin; izolimin ndërkombëtar dhe; sovranitetin prej letre në veri që po shkon drejt protektoratit ndërkombëtar. Një rrugë qorre e cila është përfundimi logjik i popullzimit qorr”.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kryeministri kosovar, Albin Kurti, nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë të dakorduar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore