Kosova

Maliqi: Kosova rrezikon të bjerë në kurthin e Serbisë dhe Rusisë


Agon Maliqi

Agon Maliqi, analist i politikës ballkanike e aktivist i shoqërisë civile, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka thënë se Qeveria e Kosovës rrezikon të bjerë në kurthin e Serbisë dhe Rusisë, derisa ka komentuar rreth vizitës së zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin, në Moskë, dhe skenarit të “eksodit të serbëve” nga pjesa veriore e Kosovës.

“Vulini dhe Moska kanë përgatitur skenën rreth narrativës të ‘spastrimit etnik’ për një kohë të gjatë ngase do të përfitonin nga një eksod i serbëve nën mbikëqyrjen e NATO-s. Qeveria e Kosovës rrezikon të bjerë në këtë kurth me qasjen e saj të pamatur ndaj veriut”, ka shkruar shkurt Maliqi.

Në një artikull autorial të botuar në platformën “Sbunker” të hënën gjatë ditës, ai ka theksuar se “gracka e re” në të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, synon ta fusë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është që të krijohet preteksti për “eksodin e serbëve” nga veriu i vendit.

“Në këtë kontekst, skenari i eksodit të serbëve është skenari ideal i cili do ta ngujonte Vuçiçin në pozitën e viktimizimit nacionalist dhe do t’ia ofronte pretekstin e përkyer në marrëdhëniet me Perëndimin, për të refuzuar çfarëdo diskutimi për njohjen apo edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës – qoftë edhe me njohje de facto – të cilin e siguronte plani franko-gjerman”.

Ndryshe, në një komunikatë të lëshuar më 1 shtator, shërbimi për shtyp i kryeministrit kosovar ka njoftuar se Kurtit i është përcjellë informacioni se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre që përbëjnë shumicën në veri të vendit, në Sanxhak.

Çanaku kërkon “kujdes të veçantë” për veriun e Kosovës pas “planit” të Serbisë për zhvendosjen e serbëve në Sanxhak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore