Pajisje

Mali Kilimanjaro pajiset me qasje në internet të shpejtësisë së lartë


Tanzania ka instaluar shërbime interneti me shpejtësi të lartë në shpatet e malit Kilimanjaro, duke lejuar këdo që ka një telefon inteligjent të postojë në Twitter, Instagram ose WhatsApp.

Një përpjekje për ta sjellë aventurën e ngjitjes së malit më të lartë të Afrikës më afër njerëzve.

Atje, korporata shtetërore e telekomunikacionit ka ngritur rrjetin në një lartësi prej 3 mijë e 720 metrash, me ministrin e informacionit të vendit, Nape Nnauye, që e ka quajtur ngjarjen historike.

“Më parë, ishte pak e rrezikshme për vizitorët dhe portierët që duhej të qëndronin pa internet”, ka treguar Nnauye. “Tani, të gjithë vizitorët do të lidhen në këtë pikë të malit”.

Sipas tij, maja e malit me lartësi 5 mijë e 895 metra do të ketë lidhje interneti deri në fund të vitit.

Vitin e kaluar, qeveria e Tanzanisë njoftoi planet për të ndërtuar një teleferik në anën jugore të Kilimanjaro-s, duke shkaktuar zhurmë mes alpinistëve, kompanive të ekspeditave dhe ambientalistëve.

Mali Kilimanjaro është një burim i rëndësishëm i të ardhurave nga turizmi në Tanzani, me rreth 35 mijë njerëz që përpiqen të arrijnë kulmin çdo vit.

I përjetësuar në tregimin e shkurtër të Ernest Hemingway-it “The Snows of Kilimanjaro”, mali është pjesë e një parku kombëtar, si dhe është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Teknologjia është infiltruar gjithnjë e më shumë në botën e alpinizmit, me alpinistët në malin Everest që gëzojnë akses të lehtë në wifi, gjeneratorë të energjisë dhe telefona inteligjentë që bëjnë të mundur ndarjen e fotografive dhe kryerjen e thirrjeve në rast aksidenti.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore