Lajme

Mali i Zi, udhëheqës i rrugës së rajonit drejt BE-së – thotë Gjukanoviç


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, pas takimit me liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor, ka thënë para gazetarëve se Mali i Zi është gati të bëhet udhëheqës në rajon sa i përket rrugës evropiane dhe promovimin e vlerave të saj.

Gjukanoviç bëri të ditur mesazhin e këtij takimi që sipas tij, Ballkani Perëndimor ka vendin në BE dhe se është shumë e rëndësishme të rivendoset mirëbesimi ndaj politikës reformuese të rajonit.

“Është e rëndësishme që çdo vend të kuptojë se duhet të jetë në anën e vlerave themelore evropiane. Ky është një mesazh që është mirë të dëgjohet sepse Mali i Zi ka vite që është harmonizuar me politikën e sigurisë së jashtme të BE-së”, tha Gjukanoviç, raporton e përditshmja malazeze Vijesti.

Gjithashtu, ai foli edhe për idenë e komunitetit politik evropian, që sipas tij do ta përshpejtonte integrimin e rajonit në BE.

“Pra, një kornizë që mund të ndihmojë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit, por që ideja bazë është anëtarësimi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Në atë kontekst, në emër të Malit të Zi thashë se ne jemi të interesuar për anëtarësim dhe jo alternativë ndaj anëtarësimit dhe se do të mbështesim të gjithë, duke përfshirë edhe komunitetin politik evropian, nëse kjo është një formë tjetër që mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit”, u shpreh ai.

Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Tutje, ai deklaroi se nuk ka gatishmëri për të diskutuar për datat, por ka gatishmëri për të punuar në përmirësimin e mjedisit dhe heqjen e pengesave që janë shfaqur.

“Atmosfera në Këshill është e tillë që respektohet nevoja për t’i dhënë dinamikë të re negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe se ka shumë probleme që janë shfaqur ndërkohë dhe që tani janë shumë të komplikuara për t’u zgjidhur shpejt”.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor është përmbyllur me një foto familjare, si për të simbolizuar unitetin mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe krerëve të ftuar të Ballkanit Perëndimor.

Pas realizimit të fotografisë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar konferencës për shtyp.

Gjatë ditës, liderët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar rreth zgjerimit të unionit. Përveç vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të trajtojnë edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova shpreson në dritën jeshile për liberalizimin e vizave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore