Lajme

Mali i Zi shlyen këstin e parë të kredisë kineze


Mali i Zi ka shlyer këstin e parë të kredisë 1 miliard dollarëshe nga Kina. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kredia rrezikonte seriozisht të shkatërronte ekonominë e shtetit ballkanik.

Mali i Zi e mori huanë prej 944 milionë dollarë në vitin 2014, si pjesë e një plani për të ndërtuar një autostradë nga porti Adriatik i Barit në veri deri në kufirin me Serbinë.

Ky ishte njëri prej projekteve kineze të shtrira në Ballkan, të cilat kanë ngritur shqetësime rreth qeverive që varen shumë nga fondet nga Pekini.

Ministri malazez i Financave, Milojko Spajiç, tha për agjencinë lokale të lajmeve “Mina” të mërkurën e 21 korrikut se kësti i parë prej gati 33 milionë dollarësh ishte paguar në bankën kineze Exim.

Autostrada është një nga më të shtrenjtat në botë. Kredia mbuloi vetëm 41 kilometrat e parë, duke lënë 130 kilometra të tjerë akoma për t’u ndërtuar.

Pjesa e parë ishte menduar të përfundonte në vitin 2019, por afati i ri është në nëntor.

Mali i Zi është planifikuar të paguajë një këst tjetër për kredinë në janar, por të ardhurat e qeverisë janë goditur nga pandemia e coronavirus-it sepse turizmi është një sektor kyç.

Borxhi publik i vendit arriti në 97% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vitin e kaluar, shumë më lart se kufiri i deklaruar i BE-së prej 60%.

Kredia kineze në vetvete përfaqëson pothuajse një të pestën e PBB-së së vendit, 4.9 miliardë euro.

Mali i Zi i kërkoi BE-së ndihmë në rifinancimin e huasë dhe komisioneri i zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi, kishte thënë se blloku po punonte për një zgjidhje.

Brukseli nuk dëshiron të humbasë më shumë ndikim në Ballkan, ku Rusia është tashmë aktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore