Lajme

Makinat elektrike u shitën më shumë se makinat me naftë në qershor


Makinat elektrike kaluan makinat me naftë në qershor për herë të parë në shitjet e makinave të reja në Evropë, njoftoi të mërkurën shoqata e prodhuesve (ACEA).

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Me 158 mijë automjete të shitura, automjetet elektrike janë rritur nga 10.7 në 15.1 për qind të tregut në një vit.

Ato u rritën dukshëm në Holandë, Gjermani, Francë dhe Belgjikë.

Kjo rritje është nxitur veçanërisht nga Tesla, e cila ka ulur çmimet e saj: një në pesë automjete elektrike të shitura në Evropë në gjysmën e parë të vitit mban simbolin kapital “T”.

Makinat me naftë vazhdojnë të blihen më pak pavarësisht kërcimeve në Gjermani dhe Evropën Qendrore dhe tani përbën 13.4 për qind të shitjeve.

Makinat hibride gjithashtu kanë bërë progres të fortë dhe përfaqësojnë 24.3 për qind të tregut, të drejtuara nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Më vete, shitjet e hibridëve të rikarikueshëm (të cilët mund të futen në prizë ose terminal) janë ulur gjatë një viti, me 7.9 për qind të tregut.

Megjithatë, benzina mbetet energjia kryesore në BE me 36.3 për qind të shitjeve në qershor, me rritje 11 për qind, me rimëkëmbjen e përgjithshme të tregut.

Më gjerësisht, shitjet e makinave të reja u rikuperuan në Evropë në gjysmën e parë, me një rritje prej 17.9 për qind gjatë një viti.

Me 5.4 milionë makina të shitura, megjithatë, tregu mbetet 21 për qind më i ulët se në gjysmën e parë të 2019-ës, viti i fundit i të gjitha rekordeve para COVID-it.

“Progresi i muajve të fundit tregon se industria evropiane e automobilave po rimëkëmbet nga problemet logjistike të shkaktuara nga pandemia”, nënvizon ACEA në një njoftim për shtyp.

Tregu evropian i automobilave ka filluar të rritet përsëri në mënyrë të qëndrueshme që nga gushti 2022, kur kriza COVID, e kombinuar me mungesën e pjesëve, duke përfshirë komponentë të rëndësishëm elektronikë, i kishte dhënë një goditje shumë të rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore