Lajme

Makinat e reja në BE dhe MB zgjerohen nga 1 cm çdo dy vjet


Makinat e reja në Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar janë zgjeruar me nga 1 centimetër çdo dy vjet, të drejtuara nga SUV të mëdha luksoze, shitjet e të cilëve nuk tregojnë shenja ngadalësimi.

“Të nxitur nga shitjet e SUV-ve më të mëdha, automjetet po zgjerohen çdo vit e më shumë”, ka thënë James Nix, autor i raportit.

Makinat e reja janë zgjeruar aq shumë sa gjysma e tyre janë shumë të gjera për t’u futur në hapësira parkimi të dizajnuara sipas standardeve minimale në rrugë në shumë vende, thuhet në raport.

Gjerësia mesatare e një makine të re në BE dhe MB ka kaluar 180 cm në gjysmën e parë të vitit 2023, duke u rritur mesatarisht 0.5 cm çdo vit që nga viti 2001.

“Kjo mund të mos tingëllojë si një shifër e madhe”, ka thënë Nix.

“Por realiteti është se – nëse nuk ka reforma – një grup SUV-sh dhe kamionçinash luksoze do të bëhen po aq të gjera sa kamionët dhe autobusët”.

Makinat e mëdha kanë më shumë gjasa se makinat e vogla të vrasin njerëz në aksidente, sepse ato peshojnë më shumë dhe kanë skajet e përparme të gjata që i bllokojnë viktimat poshtë tyre, në vend që t’i godasin anash.

Po ashtu pompojnë më shumë gaz toksik në ajër dhe hanë më shumë hapësirë në rrugë dhe trotuare.

Për disa makina që janë projektuar fillimisht dekada më parë, nevoja për të inkorporuar veçoritë e sigurisë si jastëkët e ajrit janë pjesë e arsyes që modelet më të reja janë bërë më të mëdha.

Por tendenca e fundit është nxitur nga konsumatorët që blejnë makina shumë më të mëdha.

Në mesin e viteve 1990, BE-ja ndaloi automjetet më të gjera se 2.55 metra për të ndaluar kamionët dhe autobusët të zgjeroheshin shumë.

Por legjislacioni nuk krijoi kufij të veçantë për makinat, të cilat analistët thonë se kanë filluar të kalojnë pragjet kryesore për të cilat rrugët dhe qytetet nuk janë projektuar.

Përpara një rishikimi të planifikuar të rregullave të automjeteve të BE-së, aktivistët u kanë bërë thirrje ligjvënësve të mbështesin një klauzolë që do ta bënte Komisionin Evropian të rishikonte kufirin e gjerësisë.

Ata argumentojnë se tendenca drejt makinave më të mëdha ka reduktuar hapësirën për përdoruesit e tjerë të rrugës dhe ka rritur rrezikun.

Të dhënat e aksidenteve nga Belgjika nga viti 2017 deri në vitin 2021 tregojnë se një rritje prej 10 cm në lartësinë e pjesës së përparme të automjetit rrit rrezikun e vdekjes me 30 për qind kur një makinë godet një këmbësor ose një çiklist, sipas një studimi nga Instituti Vias.

Rritja e madhësisë së makinave gjithashtu shkakton probleme për drejtuesit e tyre.

Raporti zbuloi se SUV-të e mëdha luksoze, të cilat janë rreth 2 metra të gjera, nuk përshtaten më në parkim jashtë rrugës.

Gjithashtu lënë shumë pak hapësirë për pasagjerët për të hyrë dhe dalë nga automjetet në hapësira tipike jashtë rrugës, të cilat janë rreth 2.4 metra të gjera, thuhet në raport.

Giulio Mattioli, një studiues i transportit në Universitetin Teknik të Dortmundit, ka dalluar se “shumë hapësirë urbane u ndahet makinave në qytete – duke përfshirë parkimin falas në kurriz të taksapaguesve, për të cilat ekziston pak justifikim”.

Edhe në kryeqytetet si Parisi dhe Barcelona, të cilat kanë luftuar shumë për të rimarrë rrugët që njerëzit të ecin dhe të pushojnë, më shumë se gjysma e hapësirës së rrugëve është e rezervuar për makina.

Mattioli ka shtuar se makinat në shumë qytete ndonjëherë parkohen në mënyrë të paligjshme, me pak zbatim të rregullave të parkimit.

“Fakti që makinat po bëhen më të mëdha ka të ngjarë ta përkeqësojë situatën edhe më shumë”, ka veçuar Mattioli.

“Kjo gjithashtu mund të çojë politikëbërësit dhe planifikuesit që të rrisin masat standarde të hapësirave të parkimit, gjë që mund të rezultojë në një rreth vicioz të madhësisë gjithnjë në rritje të makinave”.

Parisi mund të bëhet kryeqyteti i parë i madh evropian që do të përballet me këtë prirje muajin e ardhshëm, kur të mbajë një referendum për tarifat më të larta të parkimit për makinat më të rënda.

Një skemë e ngjashme do të nisë në Lyon në muajt e ardhshëm.

Franca ka luftuar prirjen drejt makinave më të rënda më shumë se shumica e ekonomive të mëdha evropiane.

Që nga viti 2008, ka ofruar një bonus financiar për njerëzit që blejnë një makinë më të pastër dhe një penalitet për njerëzit që blejnë një makinë më të ndotur.

Në vitin 2022, qeveria zgjeroi sistemin për të aplikuar gjoba që mbulojnë peshën e një makine.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore