Shqipëria

Macron pret Ramën në Elysee: Franca është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë, jemi të impresionuar nga reformat


Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pritur në pallatin presidencial të Elysee-së kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ku ka theksuar se Franca është tërësisht e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe unioni është i impresionuar nga reformat e ndërmarra prej Tiranës zyrtare.

Gjatë një konference shtypi gjatë pritjes, Macron theksoi po ashtu rolin konstruktiv të Ramës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur “të çmuar” zërin e kryeministrit shqiptar në këtë proces.

“Franca është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtu bëhet fjalë për ta bërë Evropën më të fortë dhe më sovrane në kontekstin e luftës në Ukrainë. Është një premtim paqeje për gjithë rajonin”, theksoi Macron.

Ndër të tjera, Macron vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit, duke thënë se ai madje “e admiron avancimin e bërë”.

“Sa e admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj, për miqësinë, për ndjenjat shumë të thella evropiane. Do thoja ndoshta edhe më shumë se evropiane. Ne i kushtojmë rendësi kësaj, jeni ju, jemi ne, marr janë të veçanta dhe kjo falë punës së përbashkët”, përmendi ai.

Duke iu referuar edhe vizitës së tij të mëparshme në Shqipëri, Macron theksoi se lidhjet mes Tiranës dhe Parisit po forcohen dita ditës dhe se Franca është e vendosur për të bërë më shumë për Ballkanin Perëndimor.

Ai po ashtu përshëndeti zërin e fortë të Shqipërisë në rajon dhe po ashtu në arenën ndërkombëtare.

“Kështu ka qenë dy vite kur ju mbanit postin në Këshillin e Sigurimit. Në të gjitha çështjet rajonale është i nevojshme normalizim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, vijoi.

Në mbyllje, presidenti francez bëri me dije se do të formohet një Këshill Shqipëri-Francë për inovacionin.

“Do të nënshkruajmë në marrëveshje ndërqeveritare, në menaxhimin e ujit turizmit të qëndrueshëm dhe inovacionit. Këshill Francë-Shqipëri për inovacionin”, përmbylli Macron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore