Shqipëria

Macron mbërrin në Tiranë


Presidenti francez Emanuel Macron ka mbërritur në Tiranë.

Ai do ta nisë vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri këtë mbrëmje me dorëzimin e dekoratës më të lartë të Republikës së Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” për shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Këtë, në një ceremoni që do të zhvillohet në orën 20.00 në Pallatin e Brigadave.

Vizita e tij do të zgjasë dy ditë, teksa në fokus të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Vizita e Macron në Shqipëri shënon një ngjarje historike mes Shqipërisë dhe Francës, duke shënjuar vizitën e parë në marrëdhëniet dypalëshe.

Nesër, më 17 tetor, Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në orën 08:25 do të jetë mbërritja e Presidentit Macron në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku do të kryhet edhe kalimi para truprojës së nderit.

Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti Begaj.

Dy krerët e shteteve do të prezantojnë ekipet e tyre respektive.

Në orën 08:35 – 09:05 do të mbahet edhe takim kokë më kokë mes dy presidentëve.

Macron ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë rreth orës 19:30.

Atë e ka pritur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku për shkak se kryeministri Edi Rama ndodhej në samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt këtë 16 tetor në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore