Macron dëshiron FIFA-n në Paris, ofron lehtësim tatimor

Gianni Infantino - Emmanuel Macron

Romario Ismailaj
13.12.2023 14:40
Loading Icons...

Sot, 13 dhjetor, ligjvënësit francezë do të votojnë për një plan lehtësimi tatimor të promovuar nga qeveria e Emmanuel Macron për të inkurajuar organet ndërkombëtare të sportit, por veçanërisht FIFA-n, që të zhvendosin selinë e tyre në Francë. Një bonus tatimor i cili, siç raportohet nga “New York Times”, nuk mund të zbatohet për shumicën e kompanive dhe qytetarëve francezë.

Amendamenti i buxhetit të qeverisë për vitin 2024 do të shpërblejë organizatat që shpërngulen në Francë duke i përjashtuar ato dhe punonjësit e tyre nga një gamë e gjerë taksash mbi korporatat, pronën dhe të ardhurat, duke u kursyer miliona dollarë çdo vit

Janë më shumë se 30 federata ndërkombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që teorikisht mund të përfitojnë prej tij. Por, si mbështetësit ashtu edhe ata që e kundërshtojnë thonë se Franca do të kishte vetëm një objektiv, FIFA-n.

Organi drejtues i futbollit botëror ka selinë në Zyrih që nga viti 1932. Por është në kërkim të një selie të re, veçanërisht për shkak se ligji zviceran e ka vështirësuar punësimin e punonjësve nga jashtë Evropës.

Senati, dhoma e lartë e Parlamentit francez, votoi së fundmi për të fshirë nga dokumenti i buxhetit të qeverisë tekstin që lidhet me federatat sportive. Por ligjvënësit e ripunuan atë për të siguruar përfshirjen e propozimit.

FIFA është një gjigant me rreth 2000 anëtarë staf, interesa tregtare globale dhe të ardhura miliarda dollarë.

Presidenti Gianni Infantino do të ishte një nga përfituesit më të rëndësishëm të përjashtimit të propozuar nga tatimi mbi të ardhurat. Paga e tij para tatimit dhe paketa e bonusit arrinin në më shumë se 3.6 milionë euro, sipas dokumenteve zyrtare. Ai është ai që mbikëqyri hapjen e një poste tjetër të FIFA-s në Paris në vitin 2021.

Propozimet për një status të ri tatimor specifik për organizmat sportive ndërkombëtare morën një vlerësim negativ edhe nga Këshilli i Shtetit, gjykata më e lartë administrative e Francës, e cila mori një draft në shtator. Gjykata lëshoi ​​një opinion negativ mbi bazën se do të përbënte “shkelje të barazisë tatimore”.

Të fundit

Aktuale