Kosova

LVV pret një delegacion të partisë së Kamberit: Mbështesim partitë që mbrojnë interesat e shqiptarëve


Foto: Alim Rama

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur në takim këtë të mërkure një delegacion të Partisë së Veprimit Demokratik – partia shqiptare në Luginë të Preshevës – të prirë nga deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, njëherit kryetar i kësaj partie, ku i kanë uruar suksese PVD-së në procesin e radhës elektoral për zgjedhjet lokale në Serbi.

Në delegacion me Kamberin kanë qenë edhe Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, si dhe Ragmi Mustafi, këshilltar i Besnik Bislimit, të dy këta pjesë e partisë së Kamberit, që në zyrat e LVV-së janë pritur nga sekretari i kësaj partie, Alim Rama.

“Shfrytëzuam rastin t’i urojmë fitoren e jashtëzakonshme në zgjedhje të fundit në Serbi platformës politike ‘Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi’. Falë besimit të madh qytetar e rezultatit të paparë ndonjëherë shqiptarët e Luginës vazhdojnë të kenë një përfaqësues të denjë që përfaqëson vërtetësisht interesat e shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar Rama në Facebook.

“Pas zgjedhjeve të përgjithshme atje, brenda pak kohësh Lugina do t’i nënshtrohet edhe procesit të zgjedhjeve lokale për çka i uruam, po ashtu suksese të radhës e punë të mbarë në procesin elektoral”, shtoi.

Ndërkaq, sekretari i VV-së ka thënë se partia që ai e udhëheqë “mbetet e përkushtuar në mbështetjen për subjektet politike shqiptare që pos dimensionit politik progresiv mbrojnë pa luhatje interesat shqiptare dhe avokojnë të drejtat e komunitetit shqiptar kudo”.

LVV është akuzuar se po “përçan” skenën politike në Luginë të Preshevës duke i dhënë mbështetje njëri krah.

Kritikat më të ashpra në këtë drejtim i ka bërë Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore