Lajme

Lutja e Dështuar – vetëm 2 mjekë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë për t’u kthyer me punë në Kosovë


Foto nga Albanian Post

Kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë, e kthyer në formë të një politike nga Qeveria, që mjekët e diasporës të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë për përmirësimin e këtij sektori ka dështuar.

“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte thirrja e kryeministrin Albin Kurti në kohën kur Latifi ishte ende ministër.

Ai u largua, e të tjerët as që erdhën.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një bisedë për Albanian Post, thotë se sado që kanë zhvilluar takime me mjekë në vende të ndryshme, kthimi i tyre në Kosovë, tingëllon si ide e parealizueshme.

Vetë nisma, “në këtë kohë krize me largimin e mjekëve”, Sejdiu thotë se “është iniciativë e mirë”.

“Ne si organizatë kemi pasur mjaft takime me shoqatat e mjekëve shqiptarë në Evropë, veçanërisht me Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë. Por, nuk e kemi pasur një përshtypje që ka një gatishmëri për t’u kthyer përgjithmonë”.

Mbase mënyra e vetme, thotë Sejdiu për AP, ëëhtë “që të vijnë dhe të ndihmojnë me trajnime të ndryshme, shkëmbim përvojash”.

Një mjek në Kliniken Infektive. Foto: Albanian Post.Përse mjekët nuk dëshirojnë të kthehen për të punuar në Kosovë?

Sipas Sejdiut, janë vetëm dy arsyeje kryesore që e ndalojnë kthimin e tyre.

“Arsyeja e parë është kushtet e punës edhe e dyta është çështja e pagesave, rroga e 600 eurove në krahasim me ato 6000 euro që është minimumi në shtetet evropiane”.

Ai shprehet se edhe investimet e ndryshme në shërbimet publike mungojnë.

Prandaj, sipas tij, ka shumë vend për përmirësime.

“Nevoja është defenitivisht shumë e madhe, as nuk diskutohet. Sidomos, në lëmi ku ka ngecje në ngritje të kapaciteteve sepse Qeveritë e Kosovës tash e shumë vite nuk kanë investuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në Kosovë, e kam fjalën për investime serioze në specializime, në profesionalizime të ndryshme”.

Një mendim të ngjashëm sikurse Sejdiu, e ka edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

“Realisht, konkursi do të duhej të ishte që të ruhen këto kuadrat që janë këtu, sepse këta që kanë ikur jashtë kanë ikur për shkak të kushteve jo të mira, kështu që s’mund të pretendoj askush që mund ta kthejë një mjek nga diaspora të vijë dhe të punoj për 600 euro në sistemin publik”, ka thënë Haxhiu për AP.

Ai përmend rastin se vetë ministrit Latifi që erdhi dhe iku përsëri.

Qeveria ka pasur problem me mbajtjen e një ministri nga diaspora, thotë ai, duke paramenduar kështu çfarë sfide e patejkalueshme është kthimi i mjekëve.

“Qeverisë, nuk i ka ndenjur një ministër i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kështu që s’e di se si mendojnë që të kthejnë mjekët që të punojnë për 600 euro”.

“Strategjia është që t’i përmirësohen kushtet e këtyre që janë në Kosovë që të punojnë, sepse ne kemi nevojë për ta, t’ua rrisin pagat në rast se dëshirojnë që këta të rrinë këtu”.

Si anëtar i Komisionit për Shëndetësi ai tregon edhe shifrat e stafit shëndetësor që janë larguar na sistemi publik.

“Në dy vitet e fundit më shumë se 22 anesteziologë e kanë lëshuar sistemin publik e privat, e disa kanë ikur jashtë vendit krejt”.

Sa veta treguan gatishmëri të kthehen?

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë për Albanian Post, lidhur me këtë çështje, nuk tregohet numri i mjekëve që kanë treguar interesim për t’u kthyer në Kosovë.

Por, sipas këtij institucion, deri tani është përgjigjur “një numër solid i mjekëve”.

“Na lejoni që të ju informojmë se thirrjes të Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët shëndetësorë që jetojnë në mërgatë deri me tani i është përgjigjur një numër solid i mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë, ku disa prej tyre janë profesionistë që punojnë në institucione mjaft kredibile ndërkombëtare”, thonë nga MSH-ja.

Sa i përket temave të tjera që ndërlidhen me këtë çështje, ato vazhdojnë të jenë në proces.

Klinikat e QKUK-së.

“Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të shprehjes se interesit dhe aspektet që ndërlidhen me pagën dhe çështje tjera do të diskutohen në proces e sipër”.

Përderisa ministria nuk tregon shifra, siç kuptohet nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, “numri solid” ka të bëjë vetëm me “dy mjekë”.

Mjekja e parë e cila i ishte përgjigjur kësaj ftese, është specialistja e Onkologjisë Ernesa Xhafa-Hamiti, e cila jeton dhe vepron në Britani të Madhe.

“Xhafa-Hamiti është mjekja e parë që i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ministrisë së Shëndetësisë për angazhim të mjekëve specialistë nga mërgata në institucionet shëndetësore publike në Kosovë. Dr. Ernesa Xhafa- Hamiti do të angazhohet për krijimin dhe aplikimin e udhëzimeve lokale dhe të protokolleve të terapisë antikanceroze në kancerin fillestar dhe të avancuar të gjirit dhe të mushkërive”, kishte njoftuar SHSKUK’ja më 7 nëntor.

Largimi i mjekëve nga Kosova, Kurti: Shifrat po fryhen, realiteti është ndryshe 

Me 7 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.

Sipas tij shifrat dhe përshtypja që po krijohet janë më të fryra se sa realiteti, kur fjala bie për largimin e profesionistëve shëndetësorë.

“Nuk po them që ka mjek që nuk po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali në shëndetësi të jetë për mjekët që po shkojnë sepse nuk reflekton realitetin”, kishte thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore