Lutfiu: Qeveria e Serbisë investon vetëm në shkollat me nxënësit serbë, refuzon investimet në shkollat me nxënës shqiptarë

SHFLETO
Dini Fetahu
19.07.2023 10:23
Loading Icons...

Kryetari i Këshillit Shqiptar në Serbi, Nevzad Luftiu, ka thënë se Qeveria e Serbisë investon vetëm në shkolla që kanë nxënës serbë, ndërsa refuzon të investojë tek ato me nxënës shqiptarë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, Lutfiu ka thënë se “Qeveria e Serbisë investon 5 milionë e 300 mijë euro vetëm në shkollat me nxënësit serbë, refuzon investimet në shkollat me nxënës shqiptarë”.

“Me keqardhje të thellë, më duhet që në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të paraqes një listë të investimeve që Qeveria e Serbisë e ka bërë për shkollat në Luginën e Preshevës, e ku në fokus të investimeve janë vetëm shkollat ku mësojnë nxënësit serbë kurse nga listat e investimeve janë përjashtuar tërësisht shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë”.

Për ta demonstruar këtë, ai paraqiti edhe shifra konkrete se si shteti serb bënë diskriminim në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës sa i përket investimeve nëpër shkolla, dhe ku vërehet qartë diskriminimi në shkollat ku ka nxënës serbë dhe në ato ku ka nxënës shqiptarë.

“Renovimi i shkollës fillore “Branko Radiqeviç”, në Bujanoc, 233.887.773.36 dinarë apo 1.98 milionë euro. Renovimi i shkollës së mesme “Sveti Sava” në Bujanoc, 200.147.821,80 dinarë apo 1.7 milionë euro. Renovimi i sallës së sportit të shkollës “Branko Radiqeviq”, në Bujanoc, 150.541.972.54 dinarë apo 1.28 milionë euro”.

“Ndërtimi i terrenit sportiv tek shkolla fillore “Vuk Karaxhiç”, në fshatin Osllare, 2.696.891 dinarë apo 22937 euro. Ndërtimi i terrenit sportiv tek shkolla fillore “Vuk Karaxhiç”, në fshatin Levesojë, 314.000 euro”, prezantoi të dhënat ai.

Ilustrim

Nga ana tjetër, kërkesa e fundit, tregon Lutfiu për renovimin e shkollës fillore “Sami Frashëri” – e cila ka nxënës shqiptarë – në fshatin Lluçan është refuzuar.

Ne nuk jemi kundër investimeve në shkollat ku mësojnë nxënësit serbë, pohon kryetari i KKSH-së, duke shtuar “përkundrazi i gëzohemi mundësive më të mira për mësim-nxënie tek nxënësit e gjitha komuniteteve”.

“Por, Këshilli Kombëtar Shqiptar mbetet tejet i shqetësuar me diskriminimin në kufi të racizmit që po ndodhë në një vend që synon integrime evropiane”.