Lajme

Lushaku-Sadriu: Deklaratat e Hill-it shfaqin dyshime për strategjitë e Qeverisë në raport me Serbinë


Kryetarja e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu.

Kryetarja e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill i cili tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, derisa sipas tij, pala kosovare nuk ishte përgatitur “që të flasin për specifika”.

Sipas saj, një deklaratë e tillë ka ngritur dyshime nëse ekzekutivi i ka të qarta strategjitë për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Qeveria Kurti ka përgjegjesi kushtetuese për të mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës në negociata me Serbinë. Deklarata e ambasadorit amerikan Hill ngrit dilema përmbajtësore, nëse vërtet kjo qeveri ka synime e strategji të qarta për Dialogun”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo konsideron që menaxhimi i Kurtit për problemet e brendshme tregon mjaftueshme për rezultatet në situata të tjera.

“Negociatat ndërkombëtare nuk bëhen nga amatorë. Nëse Kurti do ta menaxhojë edhe dialogun ngjashëm si është duke i “menaxhuar” krizat e brendshme, epilogu për vendin mund të jetë i ngjashëm: negativ”.

Gjatë një interviste në N1, Hill shtoi se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen”.

I pyetur nëse mendon se është e mundur të vendosen sërish barrikada në veri të Kosovës, ai thotë se diplomatët “nuk ia dalin shumë mirë me supozimet”.

Hill shtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të definohet më mirë, sepse “njerëzit duhet të dinë se si do të duket jeta e tyre dhe kjo përfshin të kuptuarit e detajeve reale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore