Film

Lumnije Mikullovci – mes të artit dhe politikës


Pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për deputete ishte edhe Lumnije Mikullovci, gruaja e aktorit dhe ish-deputetit të ndjerë, Adem Mikullovci.

Lumnija, studimet bazë i ka kryer në Akademinë e Filmit në Paris të Francës, gjatë viteve 1971-1974. Ndërsa, në Kosovë u kthye për të ushtruar profesionin e saj si artiste, regjisore, punonjëse filmi, e së fundi edhe si politikane.

Në një intervistë për Albanian Post, ajo tregoi se pjesë e LVV ka qenë vite me radhë, por kësaj here gjërat u zyrtarizuan me iniciativë të kësaj partie, e cila e ftoi për kandidim.

“Unë kam rrugëtuar ndër vite me LVV-në por në hije, jo në mënyrë aktive. Kësaj here ata më ftuan të jem pjesë e kandidaturës, dhe e pranova me kënaqësi”, thotë Luminja.

Ajo zotohet të kontribuojë në të mirën e komunitetit artistik nëse fiton votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e parlamentit.

“Nëse arrij të bëhem deputete, do të jem zëri i fuqishëm për komunitetin artistik. Por, gjithashtu do të punoj në fuqizimin e gruas në shoqëri dhe për implementimin e ligjit për sektorin privat”.

Për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, Luminija, shprehet të ketë ndjenja të përziera lumturie e pikëllimi.

“Për mua është e rëndësishme që LVV arriti të triumfojë bindshëm, jam e lumtur për këtë. Por, më vije keq që Ademi nuk është gjallë ta gëzojë këtë fitore, sepse kjo ka qenë njëra ndër ëndrrat e tij”, thotë ajo për Albanian Post.

Ndryshe, Lumnije dhe Adem Mikullovci ishin bashkë për gjithsej 45 vite, dhe përveç jetës së tyre bashkëshortore ata shpesh bashkoheshin edhe në sferën profesionale.

“Çdo gjë funksiononte shumë mirë, kishim një gjuhë të përbashkët, mbase edhe për arsye që ndanim pak a shumë, të njëjtin profesion, ai aktor e unë punonjëse e filmit. Ne luftuam dhe jetuam me artin tonë një jetë të tërë, rrugëtuam bashkë deri sa na ndau vdekja” shton ajo.

Periudha e viteve të 90-ta ishte e vështirë për Kosovën në përgjithësi, e sidomos për figurat politike të asaj kohe.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, Adem Mikullovci, i cili në atë periudhë ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, u arrestua nga xhandarmëria serbe.

Filmi i njohur “ Një pallto për babin tim në burg” i cili u mirëprit si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, kishte një temë të frymëzuar pikërisht nga arrestimet e shumta të dekadës së fundit të shekullit XX.

“Për familjen tonë vitet e 90-ta ishin edhe më të rënda pasi që Ademi përfundoi pas grilave si figurë politike e asaj kohe. Kur u lirua nga burgu filluam te shkruanim skenarë për film me tema të inspiruar nga koha aktuale që po jetonim” thotë e veja e Adem Mikullovcit.

Ndër të tjerash, Lumnije Mikullovci, ishte bursiste në shtëpinë e vetme filmike të asaj kohe, “Kosova Film”.

Ajo bashkë me Ademin punuan filmat si “Era dhe Lisi”(1979), “Kur pranvera vonohet”(1980) e “Proka”(1984).

“Me Ademin punuam bashkë në shumë projekte artistike. Disa nga filmat që i realizuam bashkë janë, “Mësuesi” ku e trajtuam gjendjen e mjerueshme të arsimit dhe stafit arsimor të asaj kohe, pastaj “Oda e Junikut”, “Burgu i Mërgimit” e shumë të tjerë.

Përfundimi i luftës në Kosovë përçoi pozitivitet edhe në jetën profesionale të çiftit. Të frymëzuar nga liria, ata në trend sollën komeditë.

Ndër komeditë më të suksesshme të pasluftës ishin “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët” e “Mahalla jonë” të shkruara pikërisht nga Adem Mikullovci.

Për Albanian Post, ajo zbulon projektin filmik  të cilin Adem Mikullovci e kishte shkruar një vit para se të vdiste, si dhe fotografitë e dorëshkrimit të tij të fundit.

“Ademi ka qenë krijues dhe punëtor, kurrë s’është ndalur së shkruari. Vitin e fundit e përfundoi një skenar për film me titull “Gjurmëve të një dashurie të ndaluar”. Ky projekt i fundit i tij, shpresoj shumë të realizohet ndonjëherë” përfundon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore