Lajme

Lumir Abdixhiku vjen me “një zgjidhje” për problemet me Serbinë


Bisedimet ne bruksel

Lumir Abdixhiku është pyetur për propozimin e ri franko-gjerman, i cili parasheh në disa faza zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, që u publikua ekskluzivisht në Albanian Post me 18 shtator.

“Nuk kam marrë informacione zyrtare nga qeveria, e që do të duhej, por kam parë pjesë të tilla të diskutimeve me aleatët tanë e me kanalet tona diplomatike”, deklaroi Abdixhiku duke folur në televizionin Dukagjini.

Por, Abdixhikut nuk i pëlqen ajo që ka parë. Për të, nuk duhet të shkohet me gjetjen e zgjidhjes përmes disa fazave, por direkt me njohje reciproke e pastaj të zgjidhen çështje të tjera dytësore.

“Nga ajo që është thënë dhe është pranuar edhe nga qeveritarët tanë është kërkesa që të bëhet hap pas hapi, dalëngadalë. Interesi i Kosovës do të ishte që status quoja të zhbëhet. Ke një pozicion të Serbisë që thotë avash-avash, ke SHBA-të që të thonë përfundojeni këtë çështje, por ne jemi futur në proces të teknikaliteteve”, deklaroi Abdixhiku duke e nënkuptuar se edhe qëndrimi amerikan është ai që po e mbron edhe LDK-ja, njohje patjetër dhe menjëherë.

“Propozimet ndërkombëtare po flasin për normalizim më shumë se për njohje reciproke. Qëllimi duhet të jetë njohja reciproke dhe aty të përfundojë çështja me Serbinë. Tri kushte duhet t’i kemi: njohje reciproke, integritet territorial dhe rend kushtetues i Kosovës”.

Lumir Abdixhiku

Pa folur se si bindet Serbia që ta njohë Kosovën, kur atje nuk ekziston asnjë rrymë politike që e mbron një ide të tillë të njohjes dhe avancimit tutje, Abdixhiku pohoi se “nëse flasim për normalizim dhe jo njohje e krijojmë një gjendje tjetër, tek e cila duhet të kthehemi”.

Prandaj, pohoi lehtësisht nga studio televizive se “njohe dhe më pas gjithçka tjetër zgjidhet”.

Abdixhiku shtoi se e kupton që normalizimi “po bëhet si fazë kalimtare drejt njohjes”, por ai e do njohjen menjëherë.

Në fakt, njohja e Kosovës nga Serbia është kërkuar qysh nga viti 1999, kur ka përfunduar lufta në Kosovë. Problemi është se kërkesa maksimaliste e Kosovës ka takuar refuzimin maksimalist në Serbi.

Njohja kërkohet që më pas Kosova të mos bllokohet në procese integruese. Por, nëse do arrihej një marrëveshje që normalizon raportet dhe s’ka problem në procesin integrues e Kosova mund të anëtarësohet në mekanizma ndërkombëtarë siç është NATO, atëherë vlera e njohjes në vetvete do të binte.

Gjithsesi, njohja është synimi përfundimtar edhe i propozimit franko-gjerman, por Abdixhikut nuk po i pëlqen fakti që është ndarë në faza.

Nëse Kosova dhe Serbia dialogojnë veç për njohje reciproke, e cila nuk ndodhë, vazhdohet me status quon, ku shtetet ruajnë gjendjen e tensionuar mes vete. Abdixhikut as kjo nuk i pëlqen.

Ajo thotë se status quoja i konvenon vetëm Rusisë, në anën tjetër propozon një zgjidhjes përmes kërkesave maksimaliste që për rezultat ka mos pajtimin (aktualisht) dhe ruajtjen e status quos.

Ose, Abdixhiku ka pasur në mendje një zgjidhje tjetër se si obligohet Serbia ta njohë Kosoveën, por që nuk e ka shpalosur në studio.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore