Vende

Lumi i Gashit në Tropojë, pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO


Për vizitorë vendas dhe të huaj, Lumi i Gashit në Tropojë është shndërruar në një destinacion të preferuar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë foto nga kjo pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO, duke theksuar se Lumi i Gashit bashkon bukuritë e rralla të natyrës me turistët e apasionuar pas aventurës të shoqëruar nga udhërrëfyesit profesionistë.

Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur “Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës në Tropojë, duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Dragobi, Qerem, Markovçë, Rorkuz dhe Dobërdol, ndërsa nga këtu ndiqet rruga këmbësore drejt Lumit të Gashit, rrugë e cila zgjat 45 minuta.

Po ashtu një tjetër shteg në rrugë këmbësore që të çon në Lumin e Gashit është Tropojë e vjetër duke kaluar përmes zonave, Degaj, Kanali i Gashit, Brodoshnicë, Qafa e Livadhit, Kusheticë dhe Dobërdol.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë si Pinus heldreichii, Abies Alba Pinus sylvestris, Pinus peuce.

Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai.

Llojet më të përhapura ndër to janë Ranunculus platanifolius, Cardamine enneaphyllos, Actaea spicata, Geum coccineum, Cephalantera rubra, Digitalis grandiflora, Viola aethiolica, Viola tricolor.

Përveç kësaj, aty gjenden edhe specie bimore të listuara në librin e kuq që ja rrisin vlerat zonës si; Atropa Belladonna, Lilium albanicum, Convallaria majalis dhe Lunaria telekiana kjo e fundit bimë endemike.

Lunaria telekiana është një specie shumë e rrallë dhe e rrezikuar e cila rrit vlerat e biodiversitetit në pjesën e Lumit të Gashit.

Sa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë (Arsus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) macja e egër (Felis silvestris), ujku (Canis lupus), derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të përmendim; gjeli i egër (Tetrea urogallus), shqipja e Ballkanit (Circus pygargus), zhgaba (Gyps fulvus), thëllëza e malit, (Alectoris graeca).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore