Film

Lum Çitaku ftohet për t’u bërë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit


Lum Çitaku

Regjisori, antropologu, dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, njoftoi të martën Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Jam i gëzuar dhe nderuar t’i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit, me të cilën po bashkëpunojmë edhe me ngushtë në projekte të përbashkëta që kontribojnë në zhvillimin artit e kulturës së filmit, mbrojtjen dhe festimin e trashëgimisë kinematografike, si dhe edukimin e audiencave në vend dhe Evropë”, tha Çitaku.

Çitaku ka afër dy dekada karrierë të pasur në filmbërje, arte vizuale, dhe mbi 10 vite përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave te reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

Ai i është bashkuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në janar 2019, për të vazhduar kontributin në fushën e filmit edhe nga përbrenda institucioneve, dhe nga korriku 2021 e udhëheqë institucionin qëndror të filmit në Kosovë.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 për t’i avancuar interesat e industrisë së përbashkët evropiane të filmit, dhe edukuar e kultivuar audiencat e të gjitha moshave për kinemanë evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore