Sport

Lukaku drejt Romës, pritet finalizimi i marrëveshjes


Romelu Lukakun

Roma është gati që ta mirëpres sulmuesin belg, Romelu Lukakun, si transferimin e tyre më të madh të këtij afati kalimtar.

Qendërsulmuesi belg do të shkojë në kryeqytetin italian në formë huazimi, pasi që Chelsea dhe Giallorossi aktualisht janë duke finalizuar detajet e fundit në lidhje me të gjitha dokumentet e nevojshme për të arritur marrëveshje.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Lukaku, i cili ka rënë dakord për të lëvizur drejt Romës, madje ka thënë se të dielën do të zbarkojë në kryeqytetin italianë.

“Nesër do të fluturoj për në Romë për të nënshkruar kontratën time”, deklaroi Lukaku në një intervistë për “Laatste Nieuws”.

Roma po e kërkon Lukakun në formë huazimi, pa opsion apo detyrim blerje. Giallorossi do ta mbulojë plotësisht pagën e tij dhe do të paguajë një tarifë të vogël huazimi bluve të Londrës.

Përkundër këtyre deklaratave të sulmuesit, menaxheri i përgjithshëm i Giallorossit, Tiago Pinto, gjatë ditës e përjashtoi ardhjen e Lukakut të dielën, raporton Sky Sport .

Pas përfundimit të takimit të mëngjesit të sotëm me Chelsean, Pinto u bëri thirrje të gjithëve të qëndrojnë të durueshëm dhe të kujdesshëm në lidhje me negociatat aktuale.

Të dy klubet do të rikthehen më vonë sot pasi marrëveshja është e komplikuar dhe kërkon më shumë punë në lidhje me detajet që kanë të bëjnë me tarifat e përfshira në hua, përfshirë mbulimin e pagave.

Megjithatë, Roma është optimiste pasi të dyja klubet duan të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.

Romelu Lukaku, vitin e kaluar luajti për Interin – i huazuar nga Chelsea.

Roma që drejtohet nga Jose Murinho, këtë afat kalimtar e ka marrë tejet seriozisht, ku ka bërë transferime të shumta pothuajse në të gjitha pozitat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore