Gjykata Speciale

Luka Misetiç emërohet avokat kryesor i Thaçit


Luka Misetiç dhe Hashim Thaçi.

Luka Misetiç, është emëruar avokat kryesor i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Gregory Kehoe dhe ekipit të tij për shkak të mos financimit nga ministria e Drejtësisë.

Lajmin e ka konfirmuar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes një komunikate për media.

“Sekretari i DhSK-së ndërpreu shërbimet e Gregory Kehoe dhe Joe Reeder si avokat dhe bashkë-avokat i Thaçit dhe emëroi Luka Misetiç si avokat kryesor kryesor për të akuzuarit”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

Po ashtu edhe vëllai i Thaçit, ditë më parë për media kishte deklaruar se avokati kryesor i Thaçit do të jetë Misetiç.

“Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Mishetiç”, kishte deklaruar ai.

Më 30 janar, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për shtyp të martën, njoftoi se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.

Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët u tërhoqen nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagasave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paguar një kompani të avokatisë për secilin nga të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Nëse të akuzuarit duan avokatë të tjerë, atëherë ata i angazhojnë privatisht dhe jashtë marrëveshjes ekzistuese.

Arsyeja përse duhet të angazhohen avokatë privatë, ka të bëjë kryesisht me buxhetin e limituar të Qeverisë së Kosovës të paraparë për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara lufte.

Në total janë rreth 20 milionë euro që shfrytëzohen nga të akuzuarit.

Ministria e Drejtësisë deklaroi se që nga viti 2020, mbrojtja juridike e ish-presidentit Thaçi është paguar mbi tre milionë e gjysmë nga buxheti i shtetit.

Vetëm për vitin 2023, ekzekutivi kosovar realizoi pagesa për mbrojtjen e Thaçit në Hagë në shumën prej 1 milion e 371 mijë e 800 eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore