Film

Luiz Montag nga Shkodra


Foto nga Albanian Post.

Romeo Montag kishte shkuar në një maskenball në Verona. Kjo është skena e pestë e aktit të partë të kryeveprës së anglezit William Shakespeare.

Në shikim të parë bie në dashuri me Juliet – e bija e familjes Capulet me të cilën Montagët e Romeos kishin armiqësi të përbetuar.

Thuhet se Shakespeare e shkroi tragjedinë më ndjerë të dashurisë diku në fund të viteve 1590.

433 vjet më vonë televizioni Top Channel në Shqipëri prodhon shfaqjen e formatit reality Big Brother VIP dhe aty hyn Luiz Ejlli – këngëtari nga Shkodra por që s’këndon më!

“A nuk është e drejta jeme me të thanë që jam i çmendur mas teje dhe t’du me tan shpirt?”, janë fjalët që një ditë Luizi po ia thoshte banores Kiara Tito, një personazh i njohur televiziv në Shqipëri.

Luizi ka rënë në dashuri me Kiarën, por të gjithë shqiptarët kanë rënë në dashuri me Luizin. I tërë kombi po bën tifo për një djalë që nget pas një vajze e cila e mbanë gjithmonë në duar vëmendjen e tij pa u bezdisur nga ajo.

Ai është romantik si Romeo. I rënë në dashuri në shikim të parë. I gatshëm të ulet në gjunjë, të ngjisë ballkone natën, të këndojë, të bëjë çdo ditë kafenë e mëngjesit pa e marrë kurrë një të tillë nga Kiara dhe nganjëherë edhe të thotë ca gënjeshtra për vëmendjen e saj.

Pak a shumë romancat janë të garantuara në Big Brother dhe nuk ka edicion pa një të tillë. Është e paimagjinueshme sepse publiku e adhuron ta shohë procesin e nisjes së një lidhjeje – që nga flirtimi, te drama, ndoshta puthja e parë dhe grindjet e pajtimet e lezetshme para kamerave CCTV që s’e huqin asnjë detaj.

Dhe ky Big Brother në Shqipëri ka heroin e vet romantik.

Për publikun që është në anën tjetër të ekranit bëhet e mundur që ta duan, ta urrejnë apo të ndjejnë diçka – çkado, për dikë të cilin kurrë s’e kanë parë as njohur, dikë që në fakt as nuk e dinë se dikush që i do ekziston matanë ekranit.

Kjo ka ndodhur rëndom me shumë personazhe të Big Brother në edicionet e mëhershme, edhe në ato që s’ishin VIP. Megjithatë kësaj here është “one-man show” me emrin Luiz.

Christina von Braun një autore gjermane që për fokus të trajtimit akademik ka çështjet gjinore dhe historinë në një artikull për Big Brother që e kishte shkruar pas transmetimit të disa serive në Gjermani, konsideronte që funksioni i Big Brother për pavetëdijen sociale ishte që të krijonte një lidhje erotike në mes psikikës kolektive dhe asaj individuale.

Nëse pajtohemi me teorinë e Von Braun, shqiptarët kanë krijuar një lidhje erotike me Luizin, Romon megjithatë pa Xhulietë!

Ajo që çudit më shumë është që ky Romeo ynë s’është prototipi i burrit shqiptar që thotë “po n’daqtë more eiii”. Prandaj është disi e pakapshme se si një djalë që i shkon prapa një vajze tërë ditën të bëhet i preferuari edhe i burrave shqiptarë me sedër të madhe e madje ta quajnë edhe Luan.

Ai e ka kuptuar me sa duket tipin e vajzës që dashuron dhe po lufton që dashurinë e saj ta fitojë prapa. Kiara jep sinjale të gjelbra, por përfundimisht për momentin s’është Xhulietë.

Por Luizi s’po mbahet brenda vetëm për dashurinë e saj. Ky personazh është kombinimi më kontrovers i elementeve të karakterit të një njeriu. Ka humor të hollë, është artist, arrogant e njëkohësisht frikshëm i qetë edhe kur merr shpulla dhe pa hatërmbetje dhe i paprekshëm nga ofendimet ndërkaq mjeshtër i thumbimit.

Shprehja e romancës e ka komplementuar personazhin Luiz dhe çfarëdo që të bëjë ai, edhe po gënjeu se ka kancer dhe do vdes pas 3 muajsh, nuk llogaritet si gabim.

Luiz po u tregon burrave që s’ka gjë të keqe po vrapove e luftove për dashuri. Dhe nga ajo që sheh në rrjetet sociale po pate kohën e botës t’i përcjellësh, është një ushtri e madhe fansash djem e vajza, burra e gra, për Romenon nga Shkodra.

I vetëm po lufton me një ushtri Kapuletësh – që janë banorët e tjerë që me sa duket e kanë kuptuar fuqinë e tij brenda lojës dhe duan t’ia presin krahët duke ia marrë dashurinë me tentativat për ta bindur Kiarën se sa i keq, gënjeshtar e budalla është.

Banorët e tjerë megjithatë duken vetëm si aktorët tretësorë – me ndonjë aty këtu që ka rol sekondar – që e rrethojnë personazhin kryesor jeta e të cilit ndërtohet rreth dashurisë në një film. Ata mund të tentojnë t’ia marrin “spotlight”, por skenaristi e ka vendosur emrin e kryesorit edhe filmi do mbarojë duke dalë emri i tij i pari në titrat në fund.

Big Brother i ka rënë bingo Luizit dhe Luizi Bingo spektaklit.

Ndërkaq Kiara me sa duket e ka kuptuar që ai s’është burri tipik shqiptar dhe s’do ndalet që ofruari vëmendje e dashuri. Ndërsa ajo si lojtare, po qe s’e e do simpatinë e publikut bën mirë t’i qëndrojë pranë dhe ta ketë me të vërtetë.

Dhe përfundimisht kemi një porosi: “Gjejeni në jetë dikë që ju do si Luizi Kiaren”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore