Sport

Luis Suarez: Meritoja më shumë respekt nga Barcelona


Luis Suarez u transferua nga Barcelona tek Atletico Madrid në shtatorin e vitit të kaluar, për shumën e 28 milion euro.

Statistikat e “El Pistoleros” (16 gola në 20 ndeshje), tregojnë qartë që Barça gaboi kur vendosi që t’ia bëjë këtë dhuratë rivalëve të La Ligës.

Uruguaiani rikthehet të flasë për largimin nga katalanasit, dhe keqardhja e vetme është për mënyrën se si u largua.

“Ajo që më shqetësoi dhe më bëri që të ndihem keq, ishte kur më thanë se isha i moshuar dhe nuk mund të luaja në nivele të larta” deklaroi Luis Suarez për France Football.

Luis Suarez luajti me Barcelonën për gjashtë sezone, duke shënuar 198 gola në 283 paraqitje në të gjitha garat për “blaugranat”.

“Nëse nuk do të kisha bërë asgjë për klubin, unë do ta kuptoja vetë, por unë shënoja çdo vit mbi 20 gola me ata. Unë luajta për gjashtë vite duke ruajtur një nivel, dhe duke qenë në lartësinë e pritshmërive” shtoi ai.

Në shtatorin e vitit të kaluar, në krye të stolit të Barcelonës erdhi trajneri Ronald Koeman, dhe ai kërkoi që të bëjë ndryshim në klub duke i’u dhënë më shumë hapësira futbollistëve të rinjë.

“Gjërat ndryshuan atje, klubi kishte nevojë për ndryshime dhe unë e pranova atë. Më së shumti u mërzita për mënyrën se si ndodhi, mendoj se meritova më shumë respekt”.

Ne fund Suarez tregoi arsyen se përse i pëlqeu atij që të transferohej te Atletico Madrid.

“Ndjeva sikur nuk po më llogarisnin më, kështu që me krenarinë time i thashë vetës se do të ju tregoj se sa vlej. Kjo ishte arsyeja pse më pëlqeu ideja të shkojë në një ekip konkurrues si Atletico Madrid” përfundoi sulmuesi 34 vjeçar.

Kujtojmë që Atletico Madrid po vazhdon të shkëlqejë në La Ligën spanjolle, duke kryesuar në tabelën e renditjes me 55 pikë, tetë më shumë se Bracelona e vendit të katërt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore