Shqipëria

“Luftë e pakompromis kundër korrupsionit në administratë”


“Luftë e pakompromis kundër korrupsionit në administratë”.

Kështu u shpreh fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të martën e 20 tetorit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, për mediat.

“Veprimtaria do të ushtrohet në tre drejtime: parandaluese, ndëshkuese dhe ndërgjegjësuese”, vijoi Manja për luftën kundër korrupsionit në administratë.

Ai deklaroi se do të krijohet një drejtori e përgjithshme anti-korrupsion për administratën, duke shtuar se, “të gjitha agjencitë e mëparshme do të shkrihen në një”.

Manja theksoi se me implementimin e këtij vendimi, “ky rrjet do të shkrihet në 47 institucione shtetërore”.

Ministri bëri me dije më tej se do të merren 70 profesionistë të fushës në lidhje me korruptimin e administratës publike.

Të gjithë këta, sipas Manjas, do të bashkëpunojnë me agjenci të tjera si prokuroritë apo SPAK-u.

Ndërkaq, Manja tha se do të sensibilizohen qytetarët mbi korrupsionin në Shqipëri apo mbarëvajtjen e ekonomisë.

Sipas tij rrjeti anti-korrupsion do të ketë bashkëpunim rrënjësor me agjencitë ligjzbatuese.

Duke vënë theksin të krijimi i kësaj agjencie, administrata publike, sipas Manjas, do të jetë tërësisht e pastër.

“Me implementimin e plotë të këtij vendimi, dua t’ju garantoj se herët e tjera do të flasim për raste konkrete praktikash korruptive në administratë”, ravijëzoi ai.

Në përfundim ai tha se të gjitha këto raste janë nën dorën e profesionistëve dhe që shumë shpejt “do t’i adresojmë pranë prokurorisë dhe SPAK-ut”.

“Administrata do të vetëpastrohet nga punonjës që aty janë me agjenda personale”, e mbylli Manja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore