Lufta në Ukrainë s’do shkaktojë krizë ushqimore në Kosovë – “alarmi është ngritur nga bizneset që duan të përfitojnë”

SHFLETO

Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
02.03.2022 7:30
Loading Icons...

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, përveç që është paralajmëruar nga ekspertët e sigurisë që mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës është alarmuar edhe për një krizë ushqimore që mund të sjellë ky konflikt në Kosovë.

Pavarësisht këtyre alarmeve që janë bërë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje për Albanian Post, ka bërë të ditur se aktualisht qarkullimi i mallrave është duke u zhvilluar lirshëm.

“Të gjithë kufijtë e vendit janë të hapur dhe qarkullimi i mallrave zhvillohet lirshëm. Rrjedhimisht, mund të thuhet që s’mund të ketë krizë ushqimore, pavarësisht ‘alarmit’ që ka qëllim përfitues tek bizneset e ndryshme”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për AP.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Por, përgjigje krejt të kundërt nga ministria rreth një krize potenciale ka udhëheqësi i Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Ai, në një përgjigje për Albanian Post, pohon “mundësia e krizës ushqimore është e madhe”, për një numër të arsyeve.

“Një pjesë e madhe e artikujve ushqimore, si gruri, mielli, vaji, ushqimi, armature, qimentoja, importohen edhe nga Ukraina dhe mbi 90 për qind të nevojave, kërkesave, shijeve tona, si qytetarë të Kosovës i importojmë”, shprehet ai.

Sipas Kaçanikut, “rezervat e shtetit janë të pamjaftueshme për për çfarëdo intervenimi dhe janë qesharake”.

“Qeveria nuk është korrekte as e sinqertë ndaj qytetarit dhe familjes konsumatorë. Këto kategori Qeveria akoma nuk i njeh, nuk është transparente, është dëshmuar se nuk është as llogaridhënëse për ndarjen e përgjegjësive konform mandatit dhe premtimeve as që mund të bëhet fjalë”.

Mirëpo, situatën aktuale në Kosovë, ai e vlerëson stabile.

“Për fat të mirë aktualisht furnizimi me artikujt themelor ushqimor dhe artikujt e tjerë janë në ofertë, në sasi dhe në cilësi standard”.

Kurse, anëtari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bajram Selmani, ka bërë të ditur për Albanian Post, se nuk mund të ketë ndonjë krizë sa i përket furnizimit me miell në Kosovë, pasi kanë rezerva të mjaftueshme.

“Mund të ketë ndikim vetëm në ngritjen e çmimeve, por në tjera aspekte nuk e besoj që mund të ketë ndonjë ndikim”.

Selmani, ndryshe nga Kaçaniku, shton se, “është krijuar panik pa nevojë”.

“Ne për grurë nuk jemi të varur as nga Rusia as nga Ukraina, ne më shumë furnizohemi nga Ballkani”.

Shoqata e Mullistëve të Kosovës.

Në Kosovë, ka produkte nga Ukraina, por jo në sasi të mëdha.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vlera e mallrave ukrainase, të importuara në vitin 2020, ka qenë rreth 19 milionë euro, ndërsa, vitin e kaluar, kjo vlerë gati është dyfishuar: mbi 36 milionë euro.

Miell, kafe, çaj, vaj, tekstil, qeramikë janë disa nga produktet e importuara vitin e kaluar nga Ukraina në Kosovë.

Kurse, mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin e kaluar kanë kapur vlerën e mbi 22 mijë eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70 mijë euro.

Kosova importon kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA): Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Rusisë, ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” me arsyetimin e tij “për të çmilitarizuar Ukrainën”.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Ndryshe, në vitin 2021, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Ata janë detyruar të largohen nga Kosova.

Sipas institucioneve të Kosovës, për ta ka pasur informacione se e kanë “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Në fund të dhjetorit të kaluar, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka shpallur “non-grata” edhe një zyrtar rus nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke thënë se ai e ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.