Biznes

Lufta kundër inflacionit, ekonomia globale në rënie


Inflacioni, i lartë dhe kokëfortë ka shqetësuar gjigandët e Wall Street-it.

Kjo sepse ai do të çojë në një rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bien në recesion, duke marrë me vete edhe dobësimin e ekonomisë globale.

Ndërsa analistët thonë se ekonomia e SHBA-ve u rrit në tremujorin e tretë, shenjat e telasheve po shumohen, atje dhe jashtë vendit.

Normat më të larta të hipotekave po prekin tregun e banesave në SHBA, mungesa e energjisë po dëmton prodhimin e fabrikave gjermane, dhe bllokimet e përsëritura të coronavirus-it po pengojnë bizneset kineze.

Tre nga motorët kryesorë ekonomikë të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe Kina janë të prekur nga kriza.

Nga ana tjetër, Ekonomia globale po merr më pak mbështetje nga politikëbërësit.

Kështu raportoi Banka Botërore në një raport të ri që paralajmëroi për rritjen e rreziqeve të recesionit global.

Bankat qendrore, ndërkohë, janë të angazhuara në fushatën më agresive të rritjes së normave që nga fundi i viteve 1990.

Këtë muaj, bankat në Evropë, Kanada, Australi dhe Kili kanë rritur normat e interesit.

Disa ekonomistë kanë frikë se bankierët qendrorë të botës po e keqkuptojnë ekonominë globale në nxitimin e tyre për të rritur normat, ashtu siç bënë – në të kundërtën – vitin e kaluar kur këmbëngulën se inflacioni do të ishte i përkohshëm.

Efektet kumulative të shtrëngimit të kredisë nga shumë vende në të njëjtën kohë mund të mbysin rritjen globale.

Banka Botërore tha se tre skenarë për ekonominë globale gjatë viteve 2022-2024 janë analizuar duke përdorur një model në shkallë të gjerë, ndër-vend.

Skenarët

Skenari i parë, bazë, përputhet ngushtë me parashikimet e fundit të konsensusit të rritjes dhe inflacionit, si dhe pritshmëritë e tregut për normat e interesit të politikës.

Megjithatë, kjo nënkupton se shkalla e shtrëngimit të politikës monetare që pritet aktualisht mund të mos jetë e mjaftueshme për të rivendosur në kohën e duhur inflacionin e ulët.

Skenari i dytë, rënia e mprehtë, supozon një zhvendosje në rritje, e cila shkakton shtrëngim shtesë sinkron të politikës monetare nga bankat kryesore qendrore.

Në këtë skenar, ekonomia globale do t’i shpëtonte një recesioni në vitin 2023, por do të përjetonte një rënie të mprehtë.

Në skenarin e tretë, recesioni global, rritje shtesë në normat e politikës do të shkaktonin krizë në tregjet financiare globale dhe do të rezultonte në një recesion global në vitin 2023.

Nëse ngadalësimi i vazhdueshëm global kthehet në një recesion, ekonomia do të përjetojë humbje të mëdha të përhershme të prodhimit në krahasim me tendencën e tij para pandemisë.

Kjo do të kishte pasoja të rënda për perspektivat afatgjatë të rritjes së tregjeve në zhvillim dhe ekonomive në zhvillim që tashmë ishin goditur rëndë nga recesioni global i shkaktuar nga pandemia e vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore