Lajme

Lufta Izrael-Gaza: Netanyahu dhe Biden grinden për mbështetjen dhe konfliktin


Mbështetja popullore për Izraelin në SHBA do ta ndihmojë atë të luftojë “deri në fitoren totale” ndaj Hamasit, tha të martën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Në një deklaratë, Netanyahu citoi sondazhet , të cilat tregojnë se më shumë se 80% e amerikanëve mbështesin Izraelin gjatë konfliktit në Gaza.

Komentet e tij vijnë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Izraeli rrezikon të humbasë mbështetjen globale në luftë.

Zyrtarët amerikanë thonë se po punojnë për një marrëveshje të mundshme armëpushimi.

Në deklaratën e tij të martën, Netanyahu tha se, që nga fillimi i konfliktit, ai ka udhëhequr një fushatë “për të kundërshtuar presionin ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës para kohe dhe për të mobilizuar mbështetjen për Izraelin”.

“Ne kemi suksese të rëndësishme në këtë fushë,” shtoi Netanyahu, duke cituar një sondazh të fundit të Harvard-Harris që tregon se 82% e publikut amerikan mbështet Izraelin. “Kjo na jep më shumë forcë për të vazhduar fushatën deri në fitoren e plotë”.

Të hënën, Biden përmendi se SHBA-të shpresonin të ketë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza “deri të hënën e ardhshme”.

Presidenti amerikan sugjeroi gjithashtu më vonë se Izraeli mund të “humbte mbështetjen nga e gjithë bota” nëse “vazhdon me këtë qeveri tepër konservatore që ata kanë”.

Një tjetër sondazh, nga Associated Press dhe Norc, zbuloi se rreth gjysma e të rriturve amerikanë në janar besonin se Izraeli kishte “e kishte tepruar me luftën” – nga 40% në nëntor.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit konfirmuan të martën se negociatat për një armëpushim të përkohshëm po vazhdonin, por nuk pranuan të japin detaje mbi thelbin e bisedimeve ose afatet e mundshme kohore.

John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se ishte bërë “përparim i rëndësishëm” drejt një marrëveshjeje javën e kaluar për të lejuar pengjet të largohen nga Gaza dhe të lejohet hyrja e ndihmës humanitare.

“Ne po ndërtojmë mbi atë progres këtë javë dhe presidenti dhe ekipi i tij mbeten të angazhuar gjatë gjithë kohës me partnerë të shumtë në rajon”, shtoi Kirby.

“Por, siç tha presidenti vetëm në 24 orët e fundit, nuk ka ende asnjë marrëveshje. Dhe ka shumë punë për të bërë”.

Armëpushimi, tha Kirby, do të “shpresojmë” të lejojë një pauzë gjashtë-javore, dukshëm më të gjatë se pauzat e mëparshme në luftë.

“Ndoshta kjo mund të çojë në diçka më shumë në drejtim të një qasjeje më të mirë për t’i dhënë fund konfliktit,” tha ai.

Në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Matthew Miller tha se diplomatët amerikanë – që punojnë me Katarin, Egjiptin dhe Izraelin – “po përpiqen ta shtyjnë këtë marrëveshje në vijën e finishit”, por se “në fund të fundit, do të na duhej Hamasi të thoshte po”.

Një zyrtar i Hamasit i kishte thënë më herët BBC News se prioritetet e grupit ishin përfundimi i armiqësive dhe jo lirimi i pengjeve.

Izraeli nisi një ofensivë në shkallë të gjerë ajrore dhe tokësore në Gaza pasi persona të armatosur të Hamasit vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz në jug të Izraelit dhe morën 253 pengje, disa prej të cilëve që atëherë janë liruar.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës thotë se të paktën 29 mijë e 878 njerëz janë vrarë në territor që atëherë – duke përfshirë 96 vdekje në 24 orët e fundit – përveç 70 mijë e 215 që janë plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore