Kosova

‘Lufta e Sondazheve’


Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Gati dy vjet para zgjedhjeve parlamentare, kompani të ndryshme vendore kanë filluar të nxjerrin sondazhe se cilat subjekte politike mund t’i fitojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, nëse cikli zgjedhor mbahet këtë të diel, porse sondazhi i publikuar nga “UBO Consulting” të hënën, nuk është pritur krahëhapur nga partitë opozitare në vend, ndryshe nga pushteti.

Në sondazhin e kompanisë vendore “UBO Consulting”, nëse zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin këtë javë, del se Lëvizja Vetëvëvendosje (LVV) do të kapte edhe një mandat qeverisës katërvjeçar, përkatësisht, duke marrë rreth 48.5 për qind të votës popullore, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të radhitej e dyta, duke fituar rreth 18.2 për qind të votave.

Rreth 17.9 për qind e trupit elektoral kosovar do t’ia jepte besimin Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të ruante votuesit tradicionalë, duke e pozicionuar veten mbi prag, saktësisht rreth 6.8 për qind të votave. Menjëhërë pas publikimit të rezultateve të sondazhit, ka filluar edhe vala e reagimeve.

Përkundër ekzaltimit të deputetëve të partisë në pushtet, partitë opozitare kanë vlerësuar se “sondazhet e porositura” nuk tregojnë saktësinë e disponimit popullor dhe mbështetjes politike. Madje, një ndër partitë më të vjetra në vend, ka publikuar një sondazh të realizuar ditët e fundit, duke paraqitur disa ngjyra krejt tjera nga tabloja e sondazhit në fjalë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në “Facebook” në mbrëmje, ka publikuar rezultatet e matjeve të mbi 17 mijë anketuesve. Abdixhiku sondazhin e “UBO Consulting” kreu e ka futur në kuadër të fushatës propagandistike të partisë në pushtet, duke e konsideruar “shenjë të frikës” nga humbja e zgjedhjeve qendrore dhe rikthimi i LDK-së.

“Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjioninqendër janë: Prishtinë 35 për qind – Lipjan 42 për qind – Podujevë 35 për qind – Obiliq 36 për qind – Fushë Kosovë 34 për qind”, ka shkruar kreu i LDK-së, në përpjekje për t’iu kundërvënë pushtetit.

“Dhe në këtë panikë e frikë s’dua të flas as për kredibilitetin e kompanisë që në zgjedhjet e fundit lokale, një natë para votimeve, na kishte vendosur në vend të tretë në Prishtinë; as për mediumin që vazhdon të besojë se vetëprofecia e sondazheve do të funksionojë sërish. E kotë. Ndryshimi i vërtetë po vjen. Me të dhe fundi i propagandës”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Nga ana tjetër, nga PDK-ja vetëm kanë thënë se rezultatet e sondazhit të “UBO Consulting” nuk pasqyrojnë realitetin e vërtetë në terren dhe disponimin e qyetetarëve krahas zgjedhjeve. Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, nëpërmjet një deklarate të shkurtë, ka thënë se rezultati i publikuar është shembull konkret i manipulimit të matjeve empirike.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” pas publikimit të matjeve të disponimit qytetar, ka shprehur shqetësimin se poltikanët janë duke harxhuar pafundshisht para, në perpjekje për ta parashikuar opinionin e publikut, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë, po ia kthejnë shpinën atdheut të tyre.

“Kosto e jetesës e papërballueshme për më shumë se gjysmën e popullsisë e dikush po ka para me pagu sondazhe e rezultatin e tyre! Një hulumtim i thjeshtë i opinionit publik sot kushton prej 25-50 mijë euro! Prej nga këto para?! S’mund të ketë dedikim më të mjerë në një ditë feste se sa lufta me sondazhe të blera!”, ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës.

Çdo parti në pushtet, pashmangshmërisht do të përballet me paknaqësi qytetare dhe çdo parti opozitare mundohet t’i shfrytëzojë ato në mënyrë që ta kthejë opinionin publik kah vetja. Pakënaqësitë politike, ekonomike e sociale ndaj çdo pushteti, çojnë drejt ndryshimit të disponimit të qytetarëve, derisa më pak se 2 vjet pritet mbajtja e zgjedhjeve të rregullta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore