LSI, kërkesë KQZ-së për kopjet e pamjeve filmike dhe materialeve elektronike

SHFLETO
Orges Permargjeta
28.04.2021 13:00
Loading Icons...

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me anë të përfaqësuesit të saj ligjor, Altin Kaziaj, i ka dërguar një letër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në letër kërkohet vënia në dispozicion e pamjeve filmike të të gjitha Qendrave të Votimit dhe kopje të materialit elektronik të të gjitha pajisjeve PEI në rang vendi.

Kjo letër ka ardhur, pasi LSI-ja ka konstatuar parregullsi gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave.

Më herët, në një deklaratë për shtyp, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, akuzoi se PS-ja i ka marrë tre mandate. Një në Korçë, një në Berat dhe një në Durrës.

“Prandaj kjo është tradhtia më e madhe vetëm në tre mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor”, shtoi ajo.

“Mjafton të shikoni proceset e numërimit, do të shikoni drejtorët dhe të gjithë administratën publike që janë vëzhgues, jo numërues. Vëzhgues dhe që mbajnë shënim leximin e votave të patronazhistëve të tyre. Mjafton për të evidentuar çdo gjë, duke pasur parasysh që i gjithë procesi ishte një manipulim industrial”.