Sport

Lladrovci nuk tërhiqet: Stadiumi do të bëhet në Drenas


Çështja e stadiumit të ri nacional është e mbyllur për kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe rrjedhimisht secili diskutim rreth lokacionit të ndërtimit të tij është i kotë.

“Nuk ka bir apo bijë nënë që guxon me e lëvizë stadiumin nga Drenasi”, deklaroi ai të dielën, i pyetur për këtë temë.

Ky qëndrimi i tij nxiti reagime të shumta. Por, Lladrovci insiston në të. I kontaktuar nga Albanian Post, ai nënvizoi se ky reagim i tij është pasojë e dezinformatave nga “disa persona të papërgjegjshëm, që nuk i njohin procedurat për realizimin e projekteve”.

“Respektimi i procedurës është elementi thelbësor i projekteve”, thekson Lladrovci.

“Këto dezinformata të nivelit lokal thonë se ‘asgjë nuk ka për stadiumin, se ishte premtim elektoral dhe se stadiumi nuk do të bëhet’. Pra, nuk kanë të bëjnë me informata apo qëllime përtej dezinformimit rreth stadiumit”, shton ai.

Kryetari i Drenasit po ashtu pret mbështetje nga niveli qendror që ky projekt të mbyllet brenda parametrave me të cilët ishte planifikuar.

“Pushteti lokal nuk i dirigjon politikat qendrore. Prandaj, pres përkrahje për projektet në zhvillim, ashtu si edhe për projektet e reja. Qytetarët presin nga ne të punojmë më shumë, të ecicm tutje, të bëjmë projekte për ta rritur mirëqenien e tyre”.

Dhe, meqë stadiumi është një nga projektet më madhore për Drenasin, Lladrovci thotë se punojnë dhe se bashkëpunimi me nivelin qendror në këtë drejtim është i padiskutueshëm.

Projekti i stadiumit nacional ishte bërë dy vite më parë dhe pritet të kushtojë rreth 50 milionë euro – për një kapacitet prej rreth 30 mijë ulëseve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore