Liverpool rrëmben kreun e Premier League-s

Fitorja e sotme i ngjit të kuqtë në krye të Premier League-s
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 20:27
Loading Icons...

Liverpool ka arritur të fitojë 2-1 përballë Wolverhampton-it në duelin e kësaj të shtune.

Të kuqtë e Arne Slot udhëtuan drejt “Molineux” për t’u përballur me vendasit për ndeshjen e javës së gjashtë në elitën e futbollit anglez.

Ibrahima Konate i dha avantazhin miqve me golin e realizuar në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë.

Megjithatë, me fillimin e pjesës së dytë do të ishin vendasit që do të gjenin rrjetën. Rayan Ait Nouri barazoi shifrat në minutën e 56-të.

Por, vetëm pesë minuta më vonë, Liverpool gjeti sërish avantazhin kur Mohamed Salah konvertoi në gol një 11 metërsh.

Me pesë fitore dhe një barazim në gjashtë javë, Liverpool ngjitet në krye të Premier Leauge me 15 pikë. Manchester City dhe Arsenal-i e ndjekin me nga një pikë më pak. Ndërsa Chelsea ka 13 pikë.

Në krahun tjetër, me pesë humbje dhe një barazim, Wolves qëndron në fund të tabelës së Premier League, me 1 pikë, po aq sa edhe Southampton. Me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak.

Java e gjashtë në Premier League filloi këtë të shtunë me takimin Newcastle – Manchester City, i përfunduar në barazim 1-1. Më pas u zhvilluan pesë dule të tjera: Arsenal 4-2 Leicester, Chelsea 4-2 Brighton, Forest 0-1 Fulham, Everton 2-1 Crystal Palace dhe Brentford 1-1 West Ham.

Të dielën do të luhen takimet: Ipswich – Aston Villa dhe Manchester United – Tottenhem. Java e gjashtë në Premier League mbyllet të hënën me duelin Bournemouth – Southampton.