Sport

Liverpool-i synon transferimin e mesfushorit të Manchester City-t


Liverpool-i është duke synuar transferimin e mesfushorit të Manchester City-t, Kalvin Philips.

27-vjeçari anglez shihet si zëvendësues i brazilianit, Fabinho, i cili me shumë mundësi do të transferohet në Arabinë Saudite gjatë ditëve të ardhshme.

Mediat angleze raportojnë që trajneri i Liverpool-it, Jurgen Kloop, e pëlqen mesfushorin e City-t dhe e sheh si një zëvendësues ideal të Fabinho-s.

Philips nuk duket të jetë në planet e trajnerit të City-t, Pep Guardiola, andaj te Liverpool-i synojnë që ta transferojnë futbollistin me formulën e huazimit me të drejtë blerje.

27-vjeçari është aktivizuar shumë pak me fituesit e “tripletës” në sezonin e fundit, i kushtëzuar edhe nga një dëmtim në shpatull, që e bëri të humbasë të gjithë pjesën e parë të kampionatit.

Megjithatë, kur u kthye ai përsëri nuk luajti një rol kyç në mesfushën e “qytetarëve”, duke u inkuadruar vetëm në dy raste si titullar në Premier League.

Kujtojmë që Philips u transferua në Manchester City gjatë verës së kaluar nga Leeds United për shumën e 49 milionë eurove.

Ai deri më tani ka luajtur vetëm 21 ndeshje në të gjitha garat me kampionët e Premier Leauge, ku nuk la asnjë gjurmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore