Përballje

Liverpool-i fiton në fund ndaj Newcastle, West Ham-i dhe Tottenham-i ndajnë pikët


Liverpool-it ka arritur të fitojë në frymën e fundit ndaj Newcastle United me rezultat 2:1, në ndeshjen e javës së pestë në Premier Leauge.

Të parët kaluan në epërsi mysafirët, ku golin e shënoi Alexander Isak në minutën e 38-të, i cili u ble para pak ditësh nga Real Sociedad-i për 70 milionë euro.

Reagimi i Liverpool-it erdhi në pjesën e dytë, më konkretisht në minutën e 61-të, kur Roberto Firmino barazoi shifrat pas një asistimi të marrë nga Mohamed Salah.

Deri në fund, iniciativa ishte e Liverpool-it, derisa ata arritën ta fitojnë ndeshjen në minutën e tetë shtesë.

Transferimi i kësaj vere nga Fulham, Fabio Carvalho, shënoi golin e fitores për “The Reds”, duke ngritur në këmbë të gjithë tifozët në “Anfield”.

Në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje të kampionatit anglez, derbi londinez mes West Ham United-it dhe Tottenham-it përfundoi me barazim 1:1.

Të parët në epërsi kaluan Tottenham-i, me autogolin e shënuar nga Thilo Kehrer.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale te mysafirëve, derisa në të dytën barazoi West Ham-i me golin e shënuar nga mesfushori çek, Tomas Soucek në minutën e 55-të.

Në vazhdim dyja ekipet ishin të kujdesshme në mbrojtje, çka bëri që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore